Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, qëndroi në Prishtinë për të shënuar 25-vjetorin e kontributit të shtetit gjerman në Kosovë. Me këtë rast, ai takoi edhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.
Pas takimit që patën në periferi të Prishtinës, Sarrazin nuk preferoi të deklarohej, ndërsa Bislimi tha se kishin pasur diskutimet me emisarin gjerman: “S’kemi pritur rezultate, kemi diskutuar”.
Çështja për të cilën po kërkohet dakordim është largimi i masës së sigurisë për produktet serbe nga ana e Kosovës, që Prishtina zyrtare po e refuzon, ndërsa Berlini ka kërcënuar me pasoja deri në përjashtim nga Procesi i Berlinit.
Në një tjetër aktivitet, Sarrazin foli për lidhjet e ngushta mes dy vendeve, ndërsa u ndal edhe te dështimi që Kosova të anëtarësohej në Këshillin e Evropës. Sipas tij, vendimi për t’i kaluar 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit erdhi shumë vonë: “Mendoj se nuk është e drejtë që të thuhet se Gjermania e ka lënë në baltë Kosovën. Ne kemi lobuar që ta shtyjmë përpara votimin me partnerët tanë, për të votuar pro anëtarësimit në Këshillin e Evropës”.
Sarrazin mori pjesë edhe në Forumin e Dytë Ekonomik Gjermano-Kosovar të organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare.