Gjermania parashikon të reduktojë pothuajse plotësisht trafikun ndërkombëtar me destinacion territorin e saj përballë vazhdimit të pandemisë së COVID-19.
“Rreziku i shfaqur nga mutacione të ndryshme të virusit kërkon që ne të ekzaminojmë dhe shqyrtojmë brenda qeverisë masa drastike”, theksoi Horst Seehofer për të përditshmen “Bild”.
“Mes këtyre masave bëjnë pjesë kontrolle më strikte në kufi, veçanërisht me zonat e konsideruara si me rrezik shumë të lartë, por gjithashtu reduktimi i trafikut ajror me destinacion Gjermaninë, pothuajse plotësisht, ashtu si po vepron aktualisht Izraeli”, shtoi ai.
“Popullsia, që pranon në Gjermani masa të konsiderueshme përballë pandemisë, pret nga ne që ta mbrojmë sa më mirë të jetë e mundur një shpërthim të numrit të rasteve”, deklaroi Seehofer.
Numri ditor i rasteve të reja në vend ka pasur tendencë rënieje këto ditët e fundit, nën pragun e 10 000 rasteve, pas masave të reja kufizuese të parashikuara deri në mes të shkurtit.
Por, numri i viktimave mbetet i lartë me rreth 1 000 çdo dtë dhe autoritetet shqetësohen kryesisht për një rritje në të ardhmen si pasojë e mutacioneve të ndryshme të virusit.
Sipas disa mediave, kancelarja gjermane, Angela Merkel përmendi mundësinë e një ndërprerjeje apo një reduktimi të ndjeshëm të trafikut ajror ndërkombëtar gjatë një takimi me dyer të mbyllura me deputetët.