Instituti gjerman për sëmundje ngjitëse, “Robert Koch”, njoftoi të enjten se gjatë 24 orëve të fundit në Gjermani janë regjistruar 17.504 raste të reja me Covid-19, që është shifra më e lartë që nga data 22 janar.
Përpos të infektuarve, gjatë kësaj periudhe u regjistruan edhe 227 të vdekur dhe shifra e përgjithshme e viktimave të koronavirusit në Gjermani shkoi në 74.132, shkruan Reuters.
Instituti “Robert Koch” tha se Gjermania është në valën e tretë të pandemisë, e cila është shkaktuar nga lehtësimi i masave kufizuese në javët e fundit, pikërisht në kohën e përhapjes së variantit më ngjitës. Instituti madje paralajmëroi rritje të madhe të numrit të rasteve në javët e ardhshme.
Gjendja nuk është përmirësuar nga shpërndarja e ngadalshme e vaksinave. Programi i vaksinimit u dëmtua edhe më shumë pas pezullimit të përdorimit të vaksinës së kompanisë britanike, AstraZeneca, për shkak të shqetësimeve rreth disa efekteve anësore.
Kancelarja Angela Merkel dhe udhëheqësit rajonalë këtë muaj u morën vesh për lehtësimin e pjesshëm të masave, ndonëse është lënë e hapur mundësia për kthim të izolimit, në rast se rritet numri i rasteve.