Gjermania thotë se nuk ka marrë konfirmim për tërheqjen e trupave amerikane

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Qeveria gjermane tha të hënën se nuk ka marrë konfirmim zyrtar nga Uashingtoni për ndonjë vendim të presidentit amerikan, Donald Trump, për tërheqjen e mijëra trupave nga Gjermania, por theksoi se prania e tyre u shërben të gjitha vendeve anëtare të NATO-s.

Një zyrtar i lartë amerikan tha të premten se kreu i Shtëpisë së Bardhë e ka urdhëruar ushtrinë amerikane që t’i largojë 9,500 trupa nga Gjermania. Kjo lëvizje do ta zvogëlonte numrin e përgjithshëm të trupave amerikane në Gjermani në 25,000 ushtarë.

“Nuk dëshiroj të spekuloj për diçka për të cilën nuk kam konfirmim. Fakti është se prania e trupave të ShBA-së në Gjermani i shërben tërë sigurisë së aleancës së NATO-s, prandaj edhe sigurisë amerikane. Ky është themeli mbi të cilin ne punojmë së bashku”, tha ministrja gjermane e mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer.

Pavarësisht dyshimeve rreth armëve bërthamore që besohet se Shtetet e Bashkuara i kanë në një bazë në Buechel të Gjermanisë perëndimore, gjermanët në përgjithësi i kanë mirëpritur trupat amerikane që nga Lufta e Dytë Botërore.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme tha të hënën se bashkëpunimi i ngushtë me Shtetet e Bashkuara në NATO dhe me partnerët e tjerë të NATO-s është kyç për sigurinë e Gjermanisë.

Megjithatë, edhe nëse nuk është konfirmuar ende, vendimi i ka shokuar politikëbërësit në Berlin, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë janë tensionuar shpesh gjatë presidencës së Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë. Ai i ka bërë presion Gjermanisë që t’i rrisë shpenzimet në fushën e mbrojtjes dhe e ka akuzuar këtë vend se është bërë peng i Rusisë për shkak të varësisë nga ajo në sektorin e energjisë.

Share This Article