Nga Ermal Qori
Zgjedhja e kryetarit të ri të Bashkisë së Kukësit më 24 shtator, do të jetë sfida e radhës politike, që pritet të sprovojë jo vetëm socialistët pas arrestimit të Gjicit, por edhe demokratët, që edhe në këtë garë elektorale shkojnë të përçarë. Basha shprehet i hapur për një kandidat të përbashkët për të mos e pësuar si më 14 maj ku vota e ndarë e demokratëve i dha fitoren aleancës Meta-Berisha vetëm në 7 bashki.
E diel, 24 shtator, me dekret të presidenti Barjam Begaj, qytetarët e Kukësit do të paraqiten sërish pranë qendrave të votimit për të zgjedhur të parin e qytetit, kryebashkiakun e ardhshëm. Safet Gjici që fitoi garën në zgjedhjet e 14 majit ndodhet në qeli, pas videoskandalit seksual në zyrën e tij. Bashkinë pa kryetarin e zgjedhur e drejton përkohësisht nënkryetari, Granit Gjana.
Partia Socialiste, që reagoi duke e shkarkuar menjëherë Safet Gjicin, përzgjodhi Albert Halilajn, një figurë që gëzoi mbështetjen e bazës, ish -drejtor i Tatimeve në Kukës, i emëruar së fundi prefekt i qarkut, përmes të cilit kërkon sërish besimin e qytetarëve kuksianë. Përballë socialistëve, e djathta shfaqet edhe në këtë garë të pjesshme me sfidën e përçarjes që në zgjedhjet vendore të 14 majit, nuk i dha asnjë bashki PD-së zyrtare, dhe vetëm 7 kryebashkiakë aleancës Meta-Berisha, përballë 53 bashkive që mori PS.
Në aleancën e zbehur pas zgjedhjeve me Partinë e Lirisë, Sali Berisha ende nuk ka një emër dhe është ende në mëdyshje nëse do i besojë sërish, Admir Sinamatin. I rikthyer në fund korrik në krye të PD-së, Lulzim Basha, mësohet nga burime brenda selisë blu, se ia beson kandidimin për këtë garë Arif Rexhmatit, kreut të degës në Kukës. Megjithatë i djegur nga 14 maji pa asnjë fitore për PD-në që ai kish deleguar Enkelejd Alibeajt, Basha beson se Kukësit fitohet vetëm me një kandidat të përbashkët. Qëndrimi u shpreh përmes Partisë Demokratike në Kukës.