Albania
Gjiknuri refuzon Opozitën: Mirëpresim propozimet të premten
Përfaqësuesi i Mazhorancës në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri i ka kthyer përgjigje opozitës në lidhje me mbledhjen e Këshillit Politik, ditën e nesërme, ora 10:00.
Gjiknuri shkruan se opozita mund të shfrytëzojë ekspertizën e huaj, por kjo gjë nuk mund të kërkohet nga përfaqësuesit e tjerë në Këshill.
Si përfaqësues i Partisë Socialiste, Gjiknuri shprehet se për sa i takon PS-së, nuk do ketë asnjë produkt të punës së përbashkët që nuk do t’i nënshtrohet ekspertizës së OSBE/ODIHR-it.
Gjiknuri shton se mirëpret propozimet e opozitës për çështjet në diskutim, në mbledhjen e planifikuar për ditën e Premte datë 18.09.2020, ora 10:30.
Pwrgjigjia e Gjiknurit:
Të nderuar kolegë,
Sapo u njoha me kërkesën Tuaj për organizimin e një mbledhjeje jashtë radhe të Këshillit Politik, me temë “marrjen e ekspertizës së OSBE-ODIHR, për çështjet që nuk biem dakord në Këshillin Politik”.
Në vijim të diskutimeve të kryera në mbledhjen e mbrëmshme, më lejoni të ju ritheksoj se nëse ju kërkoni të shfrytëzoni ekspertizë të huaj për qartësimin e pozicioneve tuaja lidhur me implementimin e dispozitave të reja të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë që bëjnë fjalë për zgjedhjet, ju mund ta bëni këtë me këdo që ju e gjeni të përshtatshme, por nuk mund të kërkoni që anëtarët e tjerë të Këshillit Politik, për të cilët zbatimi i Kushtetutës është një çështje që as vihet në diskutim, as zvarritet dhe as anashkalohet të bëhen pjesë e kësaj kërkese, aq më tepër të kërkoni që ekspertiza e OSBEO/DIHR-it të keqpërdoret me prapamendim.
OSBE/ODIHR ka qenë gjithmonë gati të përfshihej me ekspertizë teknike për shqyrtimin dhe përpumimin e propozimeve dhe drafteve tona të reformës. Ne kemi qenë mirënjohës sa herë që nga OSBE/ODIHR na kanë ardhur komente dhe sugjerime, sikurse kemi qenë po aq të keqardhur, kur për shkak të insistimit tuaj, sugjerimet e tyre janë neglizhuar e sakrifikuar pa asnjë shkak të llogjikshëm.
Ne jemi të bindur se ekspertiza e OSBE/ODIHR-it lidhur me teknologjinë në zgjedhje dhe barazinë gjinore do ta kishte bërë reformën zgjedhore vërtet cilësore, sikurse jemi të sigurtë se nëse nuk do i ishim nënshtruar refuzimit tuaj për ta përfshirë ekspertizën e ODIHR-it në debatin për administratën zgjedhore, sot kuadri ligjor për administrimin e zgjedhjeve do të formonte model për një administratë zgjedhore neutrale, të përgjegjshme dhe profesionale që në zgjedhjet e ardhshme.
Ju referoni tek marrëveshja e 14 Janarit për të mbështetur kërkesën Tuaj, por Ju nuk mund të bëni sikur sjellja Juaj e mëparshme ndaj ekspertizës së OSBE/ODIHR-it nuk ka qenë e Juaja. Me sjelljen tuaj të deritanishme, Ju e keni abroguar më shumë se sa një herë këtë pikë të marrëveshjes, pa motiv, pa shpjegim dhe me arrogancë. Unë nuk mund të mos ta kujtoj këtë fakt.
Gjithësesi, ne duam bashkëpunimin me synim arritjen e një konsensusi sa më të gjërë. Ne duam që opozita jashtëparlamentare të jetë e përfshirë, të ndjehet e përfillur në këtë proces, të jetë kontribuese. Që kjo të ndodhë duhet që të gjithë bashkë të punojmë për implementimin e dispozitave të reja të Kushtetutës për zgjedhjet. Puna e do që ne të shtrojmë në tavolinë jo vetëm idetë, por mbi të gjitha propozimet tona të detajuara, pse jo draftet tona të plota e ezauruese për pragun zgjedhor, për formulën dhe procedurën për numërimin, tabulimin dhe kalkulimin e votave parapëlqyese, për regjistrimin e të drejtat proceduriale dhe materiale të koalicioneve zgjedhore, për pasqyrimin në fletën e votimit, për numërimin e votave, tabulimin dhe kalkulimin e votave parapëlqyese të listës së koalicionit.
Këto janë lëndë e bollshme për amendamentet që duhen hartuar në zbatim të Kushtetutës. Kërkohet punë dhe përkushtim, sepse koha nuk pret. Lidershipi juaj ka deklaruar pas miratimit të dispozitave të reja të Kushtetutës, se nuk do t’i njihte ato. Ju i qëndruat të njëjtës linjë me letrën tuaj zyrtare të datës 14.09.2020 dhe në debatin vijues në Këshill. Ka ardhur koha që të deklaroni besnikërinë dhe respektin ndaj Kushtetutës së vendit Tuaj, ashtu siç bëjnë të gjitha partitë simotra të Evropës demokratike ndaj kushtetutave të vendeve të tyre. Po ashtu ka ardhur koha që të tregoni me prova vullnet të mirë ndaj këtij procesi që po zhvillojmë bashkarisht. Taktikat e pengimit, zvarritjes, bllokimit dhe konfliktualitetit artificial nuk pijnë më ujë. Unë ju ftoj përzemërsisht të futeni në rrugën e duhur, në rrugën e drejtë.
Si përfaqësues i Partisë Socialiste Ju konfirmoj se, sa na takon ne, nuk do ketë asnjë produkt të punës sonë të përbashkët që nuk do t’i nënshtrohet ekspertizës së OSBE/ODIHR-it. Por, përpara se kjo të ndodhë ne duhet të fillojmë të prodhojmë produkte konkrete, jo të pengojmë.
Në vazhdim të diskutimit të mbledhjes së fundit, unë mirëpres propozimet tuaja, qoftë dhe fillestare, për çështjet e sipërcituara, në mbledhjen e planifikuar për ditën e Premte datë 18.09.2020, ora 10:30. Ndërkohë ju informoj se ekipi i PS-së është në punë për të konkretizuar dispozitat e Kushtetutës dhe për ti reflektuar ato respektivisht në Kodin Zgjedhor.
Në cilësinë e përfaqësuesit e mazhorancës, në mbledhjen e ditës së Premte unë do të paraqes draftin me propozimet konkrete që reflektojnë ndryshimet Kushtetuese në Kodin Zgjedhor për çështjet e sipërcituara.
Sinqerisht,
Damian Gjiknuri
Përfaqësues i Partisë Socialiste
Albania
Emigrimi i shqiptarëve drejt SHBA-së, ICE: Mos t’ju shkojë mendja të hyni ilegalisht
Ëndrra e shumë shqiptarëve për t’u futur e jetuar në ShBA po vështirësohet gjithnjë e më shumë. Edhe ata të cilët kanë mundur ta prekin Amerikën e janë atje pa leje qëndrimi, po përballen me dëbime.
Pothuajse çdo javë ka shqiptarë të cilët deportohen pasi janë kapur nga ICE, skuadra amerikane e emigracionit dhe doganave e hedhur në veprim pasi Donaland Trump i shpalli luftë ilegalëve në ShBA.
“Top Channel”, përmes postës elektronike, pyeti ICE-në sa është numri shqiptarëve pa të drejtë qëndrimi në ShBA të ndaluar, përfshi numrin e të dëbuarve drejt Shqipërisë gjatë 2025.
Një zëdhënës i ICE nuk dha detaje përmes shifrave, por deklaroi se: “Nëse ju po e konsideroni të hyni ilegalisht në Amerikë, mos e çoni në mendje një gjë të tillë. Nëse vini këtu në kundërshtim me ligjet tona, ju me gjasë do të përballeni me ligjin dhe ne do t’ju dëbojmë. Ju kurrë nuk do të mundeni të riktheheni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përsëri”.
Top Channel nga burime diplomatike ka mësuar se Ambasada e ShBA-së në Tiranë ka ndihmuar në ngritjen e njësie të posaçme brenda Policisë së Shtetit dedikuar luftës me trafikun e shqiptarëve drejt ShBA.
Të njëjtat burime treguan se kjo njësi sipas një protokolli standard, interviston të gjithë shqiptarët e dëbuar nga ShBA për të mësuar si ata mundën të hynë ilegalisht. Kjo konsiderohet si mbledhje inteligjence me qëllim identifikimin e rrugëve dhe metodave të trafikut. Trafiku i shqiptarëve drejt ShBA vijon përmes linjës klasike të të shkuarit në Meksikë duke pritur disa javë deri në momentin kur trafikantët krijojnë kushtet për kalim.
Një tjetër metodë është përdorimi pasaportave evropiane të falsifikuara. Nëse për shumë vite rruga e Kavajës mbretëronte në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara, shkëlqimi i asaj kohë është shuar.
Kjo njësi brenda Policisë së Shtetit, nga intervistimet e të dëbuarve nga ShBA, ka mundur të identifikojë Kosovën si vend prodhues të pasaportave të falsifikuara, madje me një cilësi të lartë si pasojë e përdorimit të kompjuterëve dhe printerëve super-modernë.
Megjithatë, nuk mungojnë tentativat brenda Shqipërisë në prodhimin e të tilla pasaportave siç ishte rasti më i fundit në Tiranë kur para 5 muajsh, babë e bir u prangosën për këtë aktivitet kriminal. Sipas hetimeve, pasaportat e falsifikuara shiteshin nga 15 000 deri në 20 000 euro dhe përdoreshin për të kaluar ilegalisht drejt vendeve të BE-së edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /TCH
Albania
Krimi në familje, burri dhunon gruan për vdekje, vetëvritet me pistoletë
Një 50-vjeçar ka vrarë bashkëshorten e tij e më pas veten. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Orikum të Vlorës mesditën e 2 janarit.
Sose Xhebroj mësohet se është vrarë nga bashkëshorti i saj, Llogora Xhebroj, 50 vjeç.
Burime jozyrtare bëjnë të ditur se çifti kanë pasur probleme me njëri tjetrin dhe kishin shkuar drejt divorcit, teksa janë prindër të dy djemve të rritur. Policia po heton ngjarjen.
“Sot, rreth orës 13:30, është marrë njoftim nga urgjenca mjekësore se një shtetase, në Orikum, është gjetur pa shenja jete dhe me shenja dhune në banesë. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasja S. Xh., 40 vjeçe, është vrarë nga bashkëshorti i saj, shtetasi Ll. Xh., 50 vjeç.
Pas kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë në zonën përreth kësaj banese, në garazh është gjetur dyshohet i vetëvrarë me armë zjarri autori i kësaj ngjarjeje, shtetasi Ll. Xh.
Arma pistoletë e gjetur në vendngjarje u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje”, thotë policia.
Albania
Emrat/ Zbardhet vrasja, shpërthyen me telekomandë boksin elektrik ku humbi jetën Hysni Ymeri, 4 të arrestuar në Shkodër
Eshtë zbardhur ngjarja e rëndë që ndodhi në 29 dhjetor në lagjen Manush Alimani në Shkodër, ku si pasojë e shpërthimit në boksin elektrik të pallatit ku banonte humbi jetën 61-vjeçari Hysni Ymeri.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “SHADOWS”, janë arrestuar shtetasit Gerti Bushati, Ergys Ibrahimi, Edison Hasaj dhe Gjergji Zefi.
Njoftimi i Policisë
Finalizohet operacioni policor i koduar “SHADOWS”. Zbardhet vrasja me lëndë eksplozive e shtetasit H. Y., e kryer më datë 29.12.2025, në lagjen “Manush Alimani”.
Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 4 shtetas, të dyshuar si autorë të kësaj vrasjeje.
Operacioni u zhvillua me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër dhe atyre të DVP Shkodër.
Si rezultat i një pune intensive operative dhe hetimore, të kryer nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, me qëllim zbardhjen e dinamikës dhe autorësisë së vrasjes së shtetasit H. Y., bazuar në provat e siguruara, u finalizua operacioni policor i koduar “SHADOWS”.
Në kuadër të këtij operacioni, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:
-G. B., 27 vjeç
-E. I., 27 vjeç
-E. H., 25 vjeç
-Gj. Z., 24 vjeç
Ndalimi i tyre u bë pasi ka dyshime të bazuara dhe të mbështetura në prova se këta shtetas, kundrejt pagesës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 29.12.2025, duke përdorur lëndë eksplozive (e dyshuar me telekomandim në distancë), kanë shpërthyer panelin elektrik të pallatit ku banonte shtetasi H. Y.
Gjatë veprimeve procedurale, kontrolleve të vendeve dhe ambienteve, si dhe kontrolleve personale, janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provave materiale: 28 celularë, 1 automjet “Mercedes-Benz”, rrobat e veshura nga autori i dyshuar që ka vendosur lëndën eksplozive, municion luftarak, një sasi monetare në lekë dhe euro, një sasi lënde narkotike, një sasi lënde kokaine, 3 pajisje gjurmuese GPS, 2 kamera sigurie dhe 1 laptop.
Vijon puna për zbulimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje dhe dokumentimin e plotë të saj, si dhe sqarimin e motiveve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim;
“Shkatërrimi i pronës me eksploziv”;
“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim;
dhe “Prishja e qetësisë publike”.
-
Albania2 days ago“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë
-
UK4 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania4 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania6 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK2 days agoVizitorët, tarifë për të hyrë në Britani – Shtetasit që udhëtojnë pa viza duhet të aplikojnë për autorizim
-
UK6 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports4 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK3 days agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
