Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është ai që po shkel Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
I pyetur se a do të krijojnë qeverinë bashkë me LDK-në pa e marrë vendimin e Gjykatës Kushtetuese se a kanë të drejtë të formojnë qeverinë apo jo, Gjini ka thënë se çdo vendim i kësaj gjykate duhet të respektohet.
“Ne kemi shumë dallime. Dallime në interpretim, interesa, besim. Nëse diçka duhet të jetë tepër e saktë është që ne duhet të respektojmë normën të cilën e kemi vendosur bashkë, atë të Gjykatës Kushtetuese. Çdokush ka të drejtë të shkojë në Gjykatën Kushtetuese. Duhet të respektohet, por me sa di zoti Kurti ka respektuar në dy muajt e fundit që e interpreton si do vetë. Ai e ka shkelur Kushtetutën me ndalimin e lëvizjes. Më pas ka dërguar përgjegjësinë te ministri. Ka copëtuar vendimin duke e ndarë nëpër komuna. Kur po i konvenon nuk po është bash i saktë në interpretim. Mos të pretendojë askush se e kemi dikë që i respekton ligjet e të gjithë të tjerët janë gabim. Unë mendoj se ai po bën shkelje të Kushtetutës”, ka thënë ai.
Gjini ka thënë se një koalicion LDK-AAK-Nisma nuk do të varet nga votat e deputetëve të Listës Serbe edhe pse, sipas numrave, pa votat e tyre s’do të mund të formohet qeveria e re.
“Nuk besoj se do të jetë ashtu, por sidoqoftë do të jetë hera e pestë apo e gjashtë kur koalicioni do të jetë në rrethanë ku s’do të ketë shumicën dërmuese shqiptare. Do të ishte e dëshirueshme të kemi shumicë që të paktën në prezantim s’do të shihej si vartësi nga Lista Serbe. Po më duket se është kurth që po ia bëjmë vetes në politikë sepse po themi se a do të varemi nga dhjetë deputetë të Kosovës, e po themi se në të vërtetë s’janë të Kosovës”, ka shtuar ai në Interaktiv.