Gjithnjë e më shumë britanikë po heqin dorë nga shtetësia e tyre dhe sipas të përditshmes londineze Independent, në periudhën nga viti 2011 deri në vitin 2021, gjithsej 6507 persona kanë aplikuar për të hequr dorë nga shtetësia e tyre britanike.
Arsyet e heqjes dorë ndryshojnë nga personi në person, thotë Mariem Ahmed, drejtuese e imigracionit në firmën e specializuar OTS Solicitors, por më e zakonshme është një lëvizje për të aplikuar për shtetësi në një vend tjetër, i cili, ndryshe nga Britania e Madhe, kufizon ose ndalon shtetësinë e dyfishtë.
Sipas Independent, kufizimet e nënshtetësisë së dyfishtë janë një çështje afatgjatë dhe Brexit papritur çoi në komplikime krejtësisht të reja për disa qytetarë britanikë që jetojnë në BE, kështu që pas Brexit pati një rritje të numrit të britanikëve që aplikonin për pasaporta të disa vendeve të tjera të BE-së, kryesisht Franca, Belgjika apo Irlanda.
Megjithatë, për vendet e tjera, si Spanja apo Holanda, shtetësia e dyfishtë e kombinuar me shtetësinë britanike nuk lejohet në shumicën e rasteve.
Profesoresha Mikaela Benson shpjegon se njerëzit që duan të drejta të plota të shtetësisë në disa nga vendet ku jetojnë duhet të aplikojnë për shtetësinë e atij vendi dhe të heqin dorë nga shtetësia e tyre britanike.
I pyetur për të komentuar rritjen e njerëzve që heqin dorë nga shtetësia britanike, një zëdhënës i Home Office tha se shumica e njerëzve që zgjedhin të heqin dorë nga shtetësia britanike e bëjnë këtë për të fituar ose mbajtur nënshtetësinë në një vend tjetër.
“Sigurisht që po flasim për vende që ndryshe nga Britania e Madhe nuk lejojnë dyshtetësinë”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme britanike.