Nga Jovana Kërstiq
Fabrika është mbyllur disa muaj pasi obligimet nga kontrata për subvencione nga buxheti shtetëror përfunduan.
Kështu dukej “rrugëtimi” gjashtëvjeçar i kompanisë daneze për prodhimin e vjeshjeve të punës, Kentaur, në Serbi.
Brenda një dite, mbi 250 persona mbetën pa punë kur, pa paralajmërim, në fund të tetorit, kompania mbylli fabrikën e saj në Vranjë, në jug të Serbisë.
Njëri nga ish-punonjësit e Kentaurit, i cili dëshironte të identifikohej vetëm me inicialet G.S., i tha Radios Evropa e Lirë se ai dhe kolegët e tij nuk e imagjinonin çfarë i priste kur të hënën, më 27 tetor, erdhën në punë.
“Ne nuk na lejuan të hynim në kompleksin e kompanisë. Qëndruam një orë e gjysmë në shi. Pastaj drejtoresha e kompanisë mbajti një takim me ne në rrugë. Aty ishte një pajisje që përdoret për ngarkim dhe shkarkim të mallit dhe ajo u ngjit në të dhe na tregoi se kompania ishte në likuidim”, tha ai.
Ai shtoi se avokati i kompanisë u tha punonjësve se do t’u paguhen vetëm pagat për tetorin dhe ditët e mbetura të pushimeve vjetore.
“Ne e morëm shumë keq këtë lajm. E dini si ndihet kur shkollon tre fëmijë dhe brenda natës mbetesh pa punë”, tha ish-punonjësi i Kentaurit.
Kjo fabrikë daneze për prodhimin e veshjeve të punës kishte përfituar përmes subvencioneve rreth 1 milion euro nga buxheti i Serbisë, me obligimin që deri në korrik të këtij viti të vazhdonte aktivitetin dhe të punësonte njerëz.
Përfaqësues të autoriteteve lokale dhe shtetërorë më vonë njoftuan se kompania nuk i kishte paralajmëruar për planet e largimit të punëtorëve dhe premtuan se do të gjendej një zgjidhje për të gjithë ata që mbetën pa punë.
Kur u pyet nga REL-i për arsyet dhe mënyrën se si u vendos të përmbyllej aktiviteti në Serbi, kompania nuk u përgjigj.
Më parë, për portalin Slobodna Rec nga kjo kompani kishin thënë se fabrika në Vranjë u mbyll për shkak të deficitit të konsiderueshëm që regjistronte e gjithë kompania, por edhe për shkak të “rritjes drastike të pagës minimale” në Serbi.
Sipas ligjit, paga minimale në Serbi u rrit jashtëzakonisht në tetor për 9.4 për qind, duke arritur në 500 euro për 184 orë pune gjatë atij muaji.
“U desh të reagonim shpejt ndaj ndryshimeve të fundit dhe projeksioneve në tregun e punës”, thanë nga kompania daneze.
Me largimin nga Serbia, Kentaur e vazhdoi një trend të ikjeve të kompanive. Mbyllja e vendeve të punës, impianteve dhe fabrikave të tërë të kompanive të huaja që përfitojnë subvencione po bëhet gjithnjë e më e zakonshme në Serbi.
Vetëm që nga fillimi i vitit, disa mijëra punonjës ose kanë mbetur pa punë ose është njoftuar për largimet e tyre.
Numri më i madh i vendeve të punës që janë mbyllur deri tani është në jug të Serbisë, ku papunësia është përgjithësisht më e lartë.
Rreth 950 persona mbetën pa punë në pranverë kur kompania italiane e tekstilit Benetton mbylli fabrikat e saj në Nish. Largimin e punëtorëve e shpjeguan me “krizën serioze” që kompania po përjeton në nivel global.
Në të njëjtën periudhë, në Nish mbetën pa punë edhe mbi 300 punonjës të një prej kompanive kineze më fitimprurëse në Serbi, Johnson Electric. Edhe pse nuk është larguar nga Serbia, kompania, “si përgjigje ndaj sfidave aktuale në industrinë evropiane të automobilave”, ka ulur numrin e punonjësve për rreth 16 për qind. Johnson Electric operon në Serbi që nga viti 2013 dhe subvencionohet nga shteti.
Fillimisht ishte rënë dakord që fabrika të punësonte të paktën 3.400 punonjës. Megjithatë, kjo kontratë u ndryshua dhe tani kompania është e detyruar që deri në fund të vitit 2027 të ketë të paktën 1.550 punonjës. Një pjesë e subvencioneve, afërsisht një milion dinarë, u kthye mbrapsht për shkak të këtij ndryshimi.
Rreth 1.900 persona do të largohen deri në fund të vitit 2025 në kompaninë gjermane Leoni, e cila në korrik njoftoi mbylljen e prodhimit në fabrikën e saj në Malloshishte, afër Nishit. Kompania, e cila prodhon komponentë për industrinë automobilistike në katër fabrika në Serbi, bëri të ditur se fabrika që do të mbyllet po i shkakton humbje të konsiderueshme.
Investitori i parë turk në Serbi, fabrika turke e tekstilit Jinsi, mbylli këtë verë fabrikën e saj në Leskovc. Rreth 700 persona mbetën pa punë.
Pas 12 vjetësh dhe një sërë subvencionesh shtetërore, kompania u largua nga Serbia për shkak, siç tha, vështirësive në të bërit biznes.
Largime në Leskovc, që llogariten të jenë qindra vende pune, këtë vit u njoftuan gjithashtu nga kompania jugkoreane Jura dhe ajo irlandeze Aptiv.
Largime të kompanive ka pasur edhe në veri të Serbisë. Pas 15 vjetësh aktiviteti në Zrenjanin, kompania gjermane Dräxlmaier njoftoi mbylljen e fabrikës së saj. Kompania që prodhon komponentë për automobila përmendi krizën në industrinë automobilistike si arsye për largim nga shteti.
Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrin e Bizneseve të Serbisë (APR), në vitin 2024 Dräxlmaier kishte 2.166 të punësuar në Serbi.
Të gjitha këto kompani kanë marrë miliona euro subvencione shtetërore.
Të dhënat publike mbi shumën që shteti serb i ka dhënë kompanive të huaja përmes subvencioneve gjatë një dekade e gjysmë nuk ekzistojnë. Ministria e Ekonomisë e Serbisë nuk i dha përgjigje REL-it në këtë pyetje.
Prandaj mund të flitet vetëm për vlerësime të përafërta.
“Gjithçka që më është bërë e ditur është se deri në vitin 2021 kjo shifër ishte rreth 380 deri 400 milionë euro. Ndërkohë janë investuar edhe shumë para të tjera, kështu që mund të flasim për mbi gjysmë miliard euro”, tha për Radion Evropa e Lirë profesori në Fakultetin e Ekonomisë në Beograd, Millorad Filipoviq.
Përveç subvencioneve, investitorët e huaj kanë përfituar edhe stimuj të ndryshëm përmes lehtësimeve tatimore dhe nga komunat ku kanë hapur fabrikat e tyre.
“Komunat lokale u jepnin tokë falas, ua rregullonin infrastrukturën e nevojshme, përfshirë edhe telekomunikacionin dhe energjinë, dhe hiqnin taksa të ndryshme lokale vetëm për t’i tërhequr [investitorët] që të vinin”, shpjegoi Filipoviq.
Kompanitë e huaja, të subvencionuara nga shteti serb, largohen ose zvogëlojnë prodhimin kryesisht pas përfundimit të obligimeve në kontratë, që ishin zotuar se do t’i përmbushnin. Këto obligime kryesisht lidhen me numrin e punonjësve që duhet të punësojnë dhe periudhën gjatë së cilës duhet të operojnë në Serbi.
“Ata i përmbushën të gjitha, e përfunduan, nuk jemi më interesantë për ta dhe po largohen”, tha Filipoviq.
Ai shpjegoi se “kapitali shkon aty ku iu konvenon më shumë”, dhe se Serbia ka humbur shumë nga avantazhet që kishte më parë.
“Falë politikës së kursit valutor, euro është ‘ngulitur’ në 117–117.5 dinarë, dhe inflacioni bën punën e vet, kështu që kemi qenë të detyruar të rrisim disa herë pagën minimale”, shtoi ai dhe theksoi se fuqia punëtore në Serbi nuk është më nga më të lirat në Evropë, e lëre më krahasuar me vende të tjera.
“Gjithashtu, për shkak të ngjarjeve të ndryshme gjeopolitike, sektori ynë energjetik është futur në rrezik, dërgesat e naftës dhe gazit janë të kërcënuara, energjia është shtrenjtuar, kemi pasur tre deri katër herë rritje të çmimeve të energjisë elektrike gjatë dy vjetëve të fundit”, u shpreh Filipoviq.
Në fillim të tetorit filloi zbatimi i sanksioneve amerikane ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), për shkak se hisedarë në kompani kishte edhe entitete ruse.
Gjithashtu, Serbia ka qenë dekada të tëra e varur nga importi i gazit nga Rusia, dhe Moska ka zgjatur marrëveshjen për gaz vetëm deri në fund të vitit, jo për tre vjet, siç prisnin autoritetet në Beograd.
Profesori në Fakultetin e Ekonomisë, Millorad Filipoviq, theksoi se kompanitë e huaja tani ndoshta po synojnë destinacione të reja ku kostot e prodhimit janë më të ulëta se në Serbi.
“Ato mund të jenë evropiane, por supozoj edhe jashtë Evropës, në veri të Afrikës ose diçka e tillë”, theksoi ai.
Duke komentuar largimin e disa kompanive të huaja, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se kjo ishte e pritshme dhe se ato largohen aty ku pagat minimale janë më të ulëta.
“Ato shkojnë në Tunizi, por mirë, ne e prisnim këtë në njëfarë mënyre”, tha ai gjatë një interviste në TV Prva më 3 nëntor.
Vuçiq po ashtu tha se po punohet që disa kompani të tjera të marrin pjesën më të madhe të punonjësve të shkarkuar, dhe njëkohësisht po punohet për të tërhequr investitorë të rinj.
Sipas Millorad Filipoviqit, shteti serb mund të kishte ofruar stimuj të tjerë për të mbajtur kompanitë, veçanërisht ato më fitimprurëse.
“Gjithashtu, mendoj se ishte gabim që kontratat e subvencioneve kryesisht ishin bërë për pesë vjet. Duhej të ishin më afatgjata”, shtoi ai.
Ai vlerësoi se duhej të vendoseshin edhe sanksione për investitorët nëse pas përfundimit të kontratës “do të mbyllnin plotësisht fabrikën dhe do të shkarkonin punonjësit”.
“Të gjitha këto mund dhe duhej të ishin parashikuar”, përfundoi ai.
Ministria përkatëse nuk ka dhënë përgjigje për pyetjet e REL-it se a është bërë ndonjë vlerësim i efektit të subvencioneve të dhëna, si mbi shtetin dhe të ardhurat e tij, ekonominë, ashtu edhe mbi komunitetet lokale.
Edhe pse aktualisht Qeveria e udhëhequr nga Partia Progresive Serbe (SNS) njihet për popularitetin e ndërtuar mbi hapjen e fabrikave të investitorëve të huaj, politika e tërheqjes së kapitalit të huaj përmes subvencioneve në Serbi nuk ka filluar me marrjen e pushtetit nga ta më 2012.
Për shkak të mungesës së mjeteve financiare të veta për zhvillimin e ekonomisë, koncepti i subvencionimit të kompanive të huaja është përdorur para më shumë se 15 vjetësh.
“Kur ky koncept u zyrtarizua, papunësia në vend ishte në një nivel jashtëzakonisht të lartë – mbi 20 për qind – nuk kishte para për investime vendase”, tha Filipoviq.
“U desh të mbështeteshim ose në importin e kapitalit përmes subvencionimit të investimeve të huaja direkte, ose në rritjen e kredive dhe huamarrje të re të vendit. Opsion të tretë nuk kishte”, shpjegoi ai.
Ai shtoi se situata ishte më e favorshme në periudhën 2018–2020 dhe se atëherë është dashur të ndryshohet kursi.
“Ne atëherë mund të kishim ulur importin e kapitalit ose të bëheshim më selektivë dhe të mos importonim kapital për prodhimin e tekstilit, lëkurës, këpucëve, por të kërkonim investitorë që do të sillnin teknologji të larta, konkurrencë dhe inovacion në ekonominë tonë”, tha Filipoviq.
Ai theksoi se në terma afatgjatë, politika e tërheqjes së kapitalit të huaj përmes subvencioneve gjithsesi nuk ka pasur efekte pozitive.
“Edhe maqedonasit dhe bullgarët kishin stimuj të caktuar. Në një moment ishte shprehja moderne ‘garë deri në fund’, dhe ata garonin se kush do të jepte subvencione më të mëdha për investitorët e huaj, për t’i tërhequr në anën e tyre”.
“Megjithatë, një politikë e tillë ka rezultuar të jetë joefikase”, shtoi ai.
Filipoviq pretendoi se duke thënë se fondet e huaja mund të jenë vetëm një impuls shtesë për zhvillimin e shpejtë të një ekonomie, por në terma afatgjatë, pa forcimin e kursimeve dhe potencialit të investimeve vendase, nuk ka zhvillim të suksesshëm ekonomik.
Investimet e huaja direkte në Serbi këtë vit janë në rënie me gati 42 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas të dhënave të Bankës Popullore të Serbisë (NBS), në tetë muajt e parë të vitit 2025 ka pasur një hyrje prej pak më shumë se 2.1 miliardë euro.
Dhe ndërsa Qeveria fajëson për këtë protestat antiqeveritare dhe bllokadat që zgjasin në Serbi tash e një vit, Filipoviq tha se duhet të merren parasysh shumë faktorë.
“Sigurisht që edhe trazirat politike aktuale në vend ndikojnë negativisht në hyrjen e investimeve të huaja direkte, por deri në çfarë mase është vështirë të thuhet, por ardhja e investimeve të huaja direkete po bie edhe në shtetet fqinje”.
Si shembuj ai përmendi vendet fqinje të Bashkimit Evropian, Kroacinë, Rumani, Bullgari dhe Hungari.
“Kjo tregon se ekonomia evropiane është në një krizë të madhe, dhe kjo situatë po vazhdon në 15 vjetët e fundit”, u shpreh Filipoviq.
Sipas të dhënave preliminare për gjysmën e parë të vitit 2025, investitorët e huaj në Serbi kanë qenë kryesisht nga BE-ja (68.6%) dhe vendet e tjera evropiane (16.4%), pastaj SHBA-ja (4.1%) dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (3.7%).




