Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur të mos ndryshojë masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-presidentin Ilir Meta. Vendimi u mor sot nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila rrëzoi kërkesën e avokatëve të Metës për revokimin e masës së arrestit.
Avokatët argumentuan se tashmë dosja ka kaluar për gjykim dhe nuk ekziston më rreziku i prishjes së provave, por prokurorët kundërshtuan, duke kërkuar që Meta të vijojë të qëndrojë në paraburgim.
Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit 2024. Përveç kërkesës së sotme, ai ka bërë ankim edhe në Gjykatën e Lartë, e cila do ta shqyrtojë kërkesën më 9 tetor.
Gjyqtarja Irena Gjoka do të drejtojë edhe seancën paraprake më 25 shtator, ku Meta, Monika Kryemadhi, Fatime Kryemadhi, Ema Çoku dhe Pirro Xhixho do të përballen me akuzat e ngritura nga SPAK-u.
Dosja ‘Meta’ përfshin tre hetime të bashkuara: aferën CEZ-DIA, lobimin në SHBA dhe hetimin pasuror. Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
Vendimi i sotëm i GJKKO-së mund të ankimohet brenda 5 ditësh në Gjykatën e Posaçme të Apelit.