Gjykata e Posaçme ka lënë nën masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Ndërkohë GJKKO ka zbutur masën për Ajola Xoxën, bashkëshorten e kryebashkiakut.
Ajo nuk mund të dalë jashtë shtetit, por duhet të paraqitet në policinë gjyqësore. Xoxa duhet të shkojë në SPAK të premten e parë dhe të tretë të çdo muaji.
Ndërkohë edhe biznesmeni Elman Abule do të qëndrojë gjithashtu në burg. Ndërsa për 5 biznesmenët e tjerë është vendosur masa ‘detyrim paraqitje’.
Mbi Veliajn dhe të tjerët rëndojnë një sërë akuzash si korrupsion, pastrim parash, shpërdorim detyre, fshehje e pasurisë, etj.
Kujtojmë se në dosjen e SPAK thuhej se Veliaj dhe bashkëshortja e tij janë përpjekur të pengojnë hetimet, duke intimiduar edhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Teksa sot mbahej seanca gjyqësore ndaj Veliajt dhe të tjerëve, mbështetës të kryebashkiakut dhe punonjës të Bashkisë Tiranë kishin dalë për të protestuar para GJKKO, në mbështetje të tij.