Ben Blushi ka reaguar në lidhje me situatën në veri të Kosovës dhe vrasjen e efektivit të policisë, Afrim Bunjaku më 24 shtator.
Në një reagim në rrjetin social Facebook, Blushi shkruan se Perëndimi që e shkëputi Kosovën nga Serbia në vitin 1999, është më i përçarën dhe më i pavendosur. Blushi ka vizituar vetë Banjskën, ku madje ka ndarë edhe disa foto në llogarinë e tij nëFacebook.
Ndërsa më tej shton se ‘Banjska, e cila quhet kështu nga fjala banjë, që do të thotë se aty afër ka ujëra të ngrohtë termale, është dëshmi e zonës më të nxehtë në Evropë sot.’
Reagimi i Ben Blushit:
Manastiri i Banjskës ku u vra një polic shqiptar dhe katër paramilitarë serbë ndodhet gati 20 minuta larg qytetit të Mitrovicës dhe nëse nuk ka shumë trafik, jo më shumë se një orë në veri të Prishtinës.
Nga Mitrovica, rruga kalon rrëzë minierës së Trepcës e mbushur me male mbetjesh minerale dhe me oxhaqe, që dikur nxirrnin tym duke mbajtur gjithë Jugosllavinë me plumb, zink, pirit dhe minerale të tjera, rezervat e të cilave sot llogariten në gati 12 miliardë dollarë. Sot Trepca shfrytëzohet shumë pak dhe shumë keq dhe është pothuajse një objekt zhvatjeje nga fshatarët serbë që jetojnë me mbeturinat e saj.
Nga Trepca në Banjskë, janë rreth 3 kilometra, që gjarpërojnë mes disa kodrave të ngushta dhe shtëpive të vjetra, ku serbët rrinë në oborr duke parë makinat.
Fshati i Banjskës që nuk ka më shumë se 50 shtëpi dhe ndoshta nja 200 banorë, të gjithë serbë, ka akoma gjurmët e një lufte të shkurtër që u zhvillua këtu të djelën, në datën 24 shtator, kur hyrja e fshatit u bllokua nga dy kamionë për të penguar policinë e Kosovës dhe për të krijuar një zonë të sigurt rreth Manastirit të mbushur me armë.
Ajo që ndodhi më vonë dihet, sepse ngjarja bëri xhiron e gjithë botës duke ringjallur kujtimin e luftërave që ndodhën në ish Jugosllavi, nga vitet 1992 deri në 1999 kur Kosova u clirua.
Në përpjekje për të hapur rrugën, një polic shqiptar u vra nga paramilitarët serbë, që gjatë gjithë ditës u fshehën në godinat e Manastirit për t’u mbrojtur, derisa lanë katër të vrarë dhe disa të plagosur ndërkohë që pjesa tjetër çau telat e Manastirit dhe iu ngjit kodrave për t’u strehuar në Serbi.
Tani Manastiri i Banjskës, që u ndërtua nga Mbreti serb Stefan Milutin, në vitet 1300 dhe që për nja një shekull ka shërbyer edhe si xhami, është i mbikëqyrur nga policia speciale e Kosovës. Policët qëndrojnë jashtë, përballë hyrjes qëndrore të Manastirit e cila hapet shumë rrallë, atëherë kur murgjit ortodoksë që jetojnë aty, dalin për dru apo për t’u furnizuar me ushqime.
Përreth Manastirit, që është rindërtuar bashkë me Kishën e Shën Stefanit, ndodhet ende muri i trashë 700 vjecar pothuajse i rrëzuar. Mbi atë mur kanë hipur paramilitarët serbë kur janë arratisur, për t’i shpëtuar snajperëve shqiptarë të cilët duhet të jenë vendosur në kodrat përreth për të patur një pamje sa më të mirë të shënjestrës.
Në pjesëen e pasme të Manastirit murgjit kanë ngritur një tendë me çati të kuqe që e përdorin si magazinë për të mbledhur materiale ndërtimi apo rrangulla të shumta që kanë mbetur aty gjatë viteve. Në mes të kësaj tende është një tavolinë e gjatë në të cilën paramilitarët serbë duhet të kenë ngrënë dhe pirë para se të largoheshin. Meqë Republika e Kosovës i ka shpallur ata në kërkim, ndoshta kjo ka qenë dreka e tyre e fundit në Kosovë. Disa shishe që janë lënë aty pa kujdes, bashkë me pjatat, janë gjurmët e një trupe ushtarake e cila mesa duket ka kërkuar më shumë guxim te alkooli i birrave me etiketë serbe.
Policët speciale shqiptarë, që ruajnë zonën, flasin shumë pak. Natyrisht ata dinë shumë, por nuk u lejohet të tregojnë nëse kanë vrarë serbë atë ditë dhe si i kanë kapur ata që mbetën rob. Njëri prej tyre që kishte një balluke të thinjur dhe i ngjante shumë Hashim Thacit, cka nuk dukej sikur e gëzonte, quhej Enver, ndërsa komandanti i togës quhej Bekim. Shumica prej tyre kishin qenë dikur UÇK.
Nga lartësia e Manastirit duket gjithë fshati i Banjskës. Fshatarët serbë nuk dalin shumë në fshat dhe herë pas here nëpër oborre dëgjohen fëmijët që luajnë me njëri-tjetrin ose me prindërit. Çuditërisht fshati ka shumë qen të vegjël, njëri prej të cilëve lehu gjatë dhe nuk na u nda a thua se kishte aftësinë për të dalluar shqiptarët nga serbët.
Unë bëra disa fotografi në Banjskë si dhe në zonën përreth Trepcës, e cila i ngjan një gryke shisheje që torturon gjithë kalimin mes Kosovës dhe Serbisë. Duke u khyer, mendoja se si mund të zgjidhet ky konflikt i cili është vetëm në fazën e vet paraprake.
Askush nuk e di.
40 mijë serbët e 4 komunave të veriut të Kosovës, për të cilët Serbia kërkon Asosacionin, vazhdojnë të jetojnë në mes të kësaj gryke duke shpresuar se një ditë do bashkohen me Serbinë. Nëse ata nuk do ta kishin këtë shpresë ndoshta do ishin larguar të gjithë, për të gjetur në Serbi punë të cilat në Kosovë nuk i gjejnë dot.
Ata janë të paintegruar,nuk duan të integrohen dhe mesa duket nuk i lejojnë të integrohen. Serbia i paguan edhe kur nuk punojnë. Ata jetojnë aty të mbyllur në grykën e shishes duke iu lutur shenjtorëve të tyre për të ditë më të mira.
Ndërkohë që presin duke ndjekur lajmet që vijnë nga Beogradi, Serbia është më e dobët, Kosova është pak më e fortë, por Perendimi që e shkëputi Kosovën nga Serbia ne vitin 1999, është më i përcarë dhe më i pavendosur.
Banjska, e cila quhet kështu nga fjala banjë, që do të thotë se aty afër ka ujëra të ngrohtë termale, është dëshmi e zonës më të nxehtë në Evropë sot.