Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë vendosi të martën lehtësimin e dënimit për biznesmenin italian Francesco Becchetti, i shpallur në kërkim nga Shqipëria që prej vitit 2015.
Trupi gjykues, i përbërë nga gjyqtarët Genti Shala (relator), Brikena Ukperaj dhe Dritan Hasani, ndryshoi pjesërisht vendimin e Shkallës së Parë. Becchetti, i cili në shkurt të vitit 2022 u dënua me 17 vite burg, u dënua përfundimisht me 12 vjet burgim. Pesë vite iu ulën në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, i cili parashikon bashkimin e dënimeve në një të vetëm.
Becchetti u akuzua për katër vepra penale: vjedhje duke shpërdoruar detyrën, krijim i skemave mashtruese, pastrim parash dhe falsifikim.
Vendimi i Apelit preku edhe të dënuar të tjerë në këtë dosje:
Mauro de Renzis, partner në biznes i Becchettit, u dënua me 12 vjet burg, nga 16 vjet që e kishte dënuar Shkalla e Parë.
Për të pandehurat Eriona Troplini dhe Liliana Condimitti (nëna e Becchettit), Apeli la në fuqi masën e dënimit me nga 8 vjet burg për secilën.
Apeli gjithashtu la në fuqi dënimin për falsifikim dokumentesh ndaj Stavri Peçi (2 vjet burg) dhe Fetah Dervishi (3 vjet burg), dënime këto të pezulluara dhe zëvendësuar me shërbim prove në Shkallë të Parë.
Një tjetër pikë thelbësore e vendimit të Apelit ishte prishja e vendimit të Shkallës së Parë në lidhje me përgjegjësinë penale të shoqërive.
Gjykata e Apelit vendosi të pushojë çështjet penale në ngarkim të shoqërive të zotëruara nga të dënuarit, duke i përjashtuar ato nga përgjegjësia për disa vepra penale:
U pushua çështja penale në ngarkim të shoqërisë “Kalivaç Green Energy” sh.p.k për sa i përket veprës penale “Falsifikim i dokumenteve”.
U pushua çështja penale në ngarkim të kompanisë “Energy” sh.p.k për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”.
Ky vendim i Apelit shënon një fazë të re në një nga dosjet më të bujshme të hetuara nga Prokuroria Shqiptare kundër korrupsionit dhe mashtrimit me fonde publike.
