Gjykata e lartë e Tajlandës ka urdhëruar dënimin me një vit burg për ish-kryeministrin Thaksin Shinawatra. Gjykata Supreme vendosi që qëndrimi i zgjatur në spital i Thaksin vitin e kaluar ishte i paligjshëm dhe urdhëroi që ai të vuante dënimin e tij në Burgun e Paraburgimit të Bangkokut.
76-vjeçari Thaksin, shërbeu si kryeministër nga viti 2001 deri në rrëzimin e tij nga një grusht shteti ushtarak në vitin 2006. Ai bëri një kthim dramatik në Tajlandë në vitin 2023 pas 15 vitesh në mërgim dhe u dënua me tetë vite burg për konflikt interesi, abuzim me pushtetin dhe korrupsion gjatë kohës së tij në pushtet.
Mbreti i Tajlandës, Maha Vajiralongkorn, e uli dënimin me burg të Thaksin në një vit, përpara se ai të lirohej me kusht gjashtë muaj më vonë në shkurt të vitit 2024.
Pavarësisht dënimit, Thaksin nuk kaloi asnjë natë në qeli burgu. Ai vuajti dënimin në një suitë luksoze në Spitalin e Përgjithshëm të Policisë në Bangkok, pasi u ankua për shtrëngim në gjoks, presion të lartë të gjakut dhe nivele të ulëta të oksigjenit. Natyra e paraburgimit të tij ngriti pikëpyetje se ai mori trajtim të veçantë.
Thaksin u kthye në të njëjtën ditë kur partia politike e familjes së tij mori përsëri frenat e qeverisë.
Të martën (8 shtator), Gjykata e Lartë vendosi që koha e kaluar në spital e Thaksinit të mos llogaritej si kohë e vuajtur në burg. Në qershor, këshilli mjekësor i Tajlandës pezulloi dy mjekë që i mundësuan Thaksinit të kalonte dënimin e tij në spital, duke vendosur se ata kishin lëshuar dokumente që përmbanin informacione të rreme mjekësore, raportoi agjencia e lajmeve Reuters. Një mjek burgu u paralajmërua gjithashtu për mospërmbushjen e standardeve mjekësore në referimin e Thaksinit për trajtim spitalor.
Thaksin ishte i pranishëm në gjykatë për të dëgjuar vendimin. Më 4 shtator, ai fluturoi për në Dubai me avionin e tij privat për “një kontroll shëndetësor”, duke bërë që shumë në mbretëri të spekulonin se ai ishte larguar nga vendi.