Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Ervina Gjanës, zyrtares së lartë të Policisë së Shtetit, e cila kërkonte kthimin e aparateve celulare që i janë sekuestruar nga SPAK në kuadër të hetimeve për AKSHI-n.
Gjana, pasi u refuzua nga shkalla e dytë e gjyqësorit për të cilën vendosi që t’i ktheheshin vetëm telefonat e fëmijëve, iu drejtua Gjykatës së Lartë për kthimin e 8 aparateve celulare.
SPAK, në kuadër të hetimeve ndaj AKSHI-t, ka ushtruar kontrolle edhe me banesën e zyrtares, pasi sipas të dhënave bashkëshorti i zyrtares rezulton të ishte shofer i biznesmenit Ergys Agasi. Bëhet fjalë edhe për shtetasin R.H, që po ashtu është nën hetim nga struktura e posaçme.
Për këtë çështje, janë dendosur masa sigurie ndaj 7 personave, mes tyre ish-drejtoresha Mirlinda Karçanaj dhe zv.drejtoresha Hava Delibashi, ndërsa në kërkim vijojnë Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri.
Sipas SPAK, dyshohet se Agasi dhe Beqiri, bashkë me persona të tjerë, ushtronin presion dhe shantazh ndaj biznesmenëve për t’u tërhequr nga garat e tenderëve.


