Gjykata e Posaçme e Apelit ka caktuar datën për shqyrtimin e ankimit të ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, lidhur me masën e sigurisë “arrest në burg” të vendosur ndaj tij.
Seanca gjyqësore është planifikuar të zhvillohet më 8 shtator 2025, në orën 10:00, dhe do të drejtohet nga gjyqtarja Igerta Hysi.
Ankimi i Metës vjen pas vendimit të gjyqtarit Erjon Çela, i cili refuzoi kërkesën e ish-presidentit për zëvendësimin e masës së sigurisë me një masë më të lehtë.
Sipas vendimit të mëparshëm, gjyqtari Çela argumentoi se Ilir Meta mund të ndikojë në prishjen e provave ose të intimidojë dëshmitarët në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij. Kjo masë e rëndë sigurie u vendos për të garantuar mbarëvajtjen e hetimeve dhe procesit gjyqësor.
Seanca do të zhvillohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit dhe ka si objekt ankimin e Ilir Metës ndaj vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë që i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”.
Ilir Meta, i cili ndodhet në burg prej 21 tetorit 2024 akuzohet për veprat penale të korrupsionit pasiv, falsifikimit dhe pastrimit të produkteve të veprës penale. Më 29 gusht, SPAK njoftoi përfundimin e hetimeve ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë, si dhe dërgimin e çështjes në gjykatë për t’iu nënshtruar vlerësimit në seancë paraprake.