Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka rrëzuar kërkesën e ish-kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. Me këtë vendim Strasburgu vulos shkarkimin e Zaganjorit duke lënë në fuqi përfundimisht shkarkimin e tij nga sistemi i drejtësisë si rezultat i procesit të vettingut.
Në vendimin e publikuar në mars 2026, gjykata e Strasburgut arriti në përfundimin se Shqipëria nuk ka shkelur të drejtat e njeriut dhe se largimi nga detyra ishte një masë e ligjshme dhe proporcionale në funksion të garantimit të integritetit të sistemit gjyqësor.
Çështja lidhej me vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të vitit 2019, i cili përmbysi konfirmimin fillestar në detyrë dhe vendosi shkarkimin e Zaganjorit pas rivlerësimit të pasurisë dhe analizës financiare.
Ish-gjyqtari pretendoi në Strasburg se ishte larguar padrejtësisht dhe për parregullsi të vogla, duke argumentuar se nuk kishte fshehur pasuri dhe se vendimi kishte qenë i tepruar. Gjykata evropiane pranoi se shkarkimi përbën ndërhyrje në jetën profesionale dhe private të një gjyqtari, por vlerësoi se ndërhyrja ishte e justifikuar nga interesi publik për një sistem drejtësie të besueshëm.
Në analizën e saj, gjykata konstatoi se organet shqiptare kishin zhvilluar një proces të rregullt dhe të arsyetuar vendimmarrës, duke shqyrtuar në mënyrë të detajuar deklarimet e pasurisë dhe burimet financiare.
Problemet kryesore lidhej me mospërputhje në deklarimin e burimit të fondeve për blerjen e një apartamenti, diferenca financiare të konsiderueshme në disa vite të caktuara dhe mospërputhje mes deklarimeve të mëparshme dhe atyre të paraqitura gjatë procesit të vettingut për shpenzime familjare jashtë vendit.
Sipas gjykatës, këto elemente nuk mund të konsideroheshin gabime të vogla administrative, pasi kishin rëndësi për verifikimin e ligjshmërisë së pasurisë dhe transparencës financiare të një gjyqtari të nivelit të lartë.
Gjykata vlerësoi gjithashtu se Zaganjori nuk paraqiti prova bindëse që të rrëzonin analizën financiare të bërë nga autoritetet shqiptare dhe se arsyetimi i institucioneve të vettingut nuk rezultonte arbitrar apo i paarsyeshëm.


