Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur se seanca konstituive e Kuvendit, e nisur më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar ende dhe duhet të mbyllet brenda 12 ditëve nga hyrja në fuqi e aktgjykimit të saj të 30 shtatorit.
Gjykata konstatoi se Kuvendi nuk është konstituuar në përputhje me Kushtetutën, për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.
“Gjykata, njëzëri, ka vendosur: Të deklarojë, kërkesën të pranueshme; Të konstatojë, që Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; Të udhërojë, që Seanca Konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi|”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Po ashtu, Gjykata vendosi që masa e përkohshme e aplikuar që prej 5 shtatorit 2025, e cila përfundon sot, të mbetet në fuqi deri në hyrjen në fuqi të këtij aktgjykimi.
“Të vazhdojë, masën e përkohshme, e cila ka hyrë në fuqi nga data 5 shtator 2025, deri në hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.
Më 5 shtator Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi ndalimin e çfarëdo veprimi apo procedure për formimin e Qeverisë së re, afat që përfundonte ditën e sotme. Ky vendim erdhi pas ankesës së Listës Serbe lidhur me votimin ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës nga radhët e pakicave.
Kjo masë u kritikua nga Lëvizja Vetëvendosje, duke këmbëngulur se Kuvendi është konstituuar, vendim që kundërshtohet nga partitë e tjera parlamentare.
Kuvendi i Kosovës nuk ka mundur të konstituohet që pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, duke shkaktuar ngërç politik në vend.