Kërkesa e futbollisteve të përfaqësueses së SHBA-së për paga të barabarta është hedhur poshtë nga një gjykatë, duke i dhënë një fitore të Federatës së Futbollit të këtij vendi.
Gjykatësi Gary Klausen i Gjykatës së Qarkut të SHBA-së për Kaliforni, ka hedhur poshtë pretendimet e lojtareve se ato janë paguar pak në krahasim me ekipin përfaqësues të futbollistëve. Ai ka lejuar që pretendimet për trajtim jo të mirë mjekësor, për udhëtime dhe stërvitje të vazhdojnë të gjykohen.
“Ekipi përfaqësues i futbollisteve është paguar si në nivel të përgjithshëm ashtu edhe me mesatare për lojë, më tepër se ekipi përfaqësues i futbollistëve”, ka vendosur gjykata.
Për pretendimet tjera të lojtareve gjykim do të mbahet më 16 qershor. Lojtaret pretendojnë po ashtu që nuk kanë trajtim të barabartë me futbollistët kur bëhet fjalë te udhëtime e stërvitje, ndër të tjera.
Molly Levinson, zëdhënëse e futbollisteve, ka thënë se vendimi do të apelohet.
“Jemi të shokuara dhe të dëshpëruara. Nuk do të heqim dorë nga puna e madhe për pagesa të barabarta. Kemi besim në rastin tonë dhe jemi të palëkundura në angazhimin tonë për të siguruar që vajzat dhe gratë që luajnë këtë sport, nuk do të vlerësohen më pak vetëm për shkak të gjinisë së tyre”, ka thënë ajo.
Federata amerikane ka lëshuar një komunikatë në të cilën ka thënë se dëshiron të punojë me ekipin e futbollisteve për të gjetur një rrugë për të rritur sportin si në SHBA ashtu edhe në vendet tjera. Lojtaret kane kërkuar 66 milionë dollarë, duke bazuar pretendimet në Ligjin për Paga të Barabarta.
SHBA-ja ka katër tituj të botës. Titullin e fundit e fitoi vitin e kaluar. Në finale kishte thirrje nga tifozët për paga të barabarta, duke bërë që përfaqësuesja të dal në qendër të vëmendjes.
Njëra prej figurave kryesore të përfaqësueses, Megan Rapinoe ka shkruar se lojtaret “kurrë nuk do të ndalen duke luftuar për barazi”.