Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë, ka bërë të ditura të enjten detajet e aktakuzës kundër Salih Mustafës, i cili po të njëjtën ditë është arrestuar me urdhër të këtij trupi.
Ky njëherësh është arrestimi i parë që bën Prokuroria Speciale në Kosovë.
Mustafa akuzohet për “ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt”.
Teksa është bërë e ditur se Mustafa është dërguar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, kjo Gjykatë ka thënë se ai aktakuza pretendon se “afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”.
Në aktakuzë përmendet po ashtu se prej periudhës 19 prill të vitit 1999 e deri në fund të atij muaji, në atë vendndodhje është vrarë një i ndaluar.
Në komunikatë është thënë edhe se gjykatësi i procedurës paraprake e ka konfirmuar aktakuzën kundër Mustafës më 12 qershor të këtij viti, mirëpo në përputhje me rregullën 88 (2) të Rregullores së Procedurës dhe të Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës, aktakuza e konfirmuar nuk është bërë publike në atë kohë.
Salih Mustafa, në kohën e fundit, ka qenë zyrtar i lartë në Drejtorinë e Inteligjencës dhe Sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes.
Ai njihet si njëri prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Llapit. Në kohën kur Forcat e Sigurisë së Kosovës njiheshin si Trupa Mbrojtëse të Kosovës, Mustafa ka shërbyer atëbotë si shef i departamentit informativ.
Dhomat e Specializuara edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar apo siç njihen në Kosovë edhe si Gjykata Speciale, u themeluan pesë vjet më parë nga Kuvendi i Kosovës për të hetuar krimet e pretenduara kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe vepra të tjera penale në lidhje me pretendimet e përfshira në Raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011. Deri më tani, Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim me qindra ish-pjesëtarë të UÇK-së, qoftë si dëshmitarë apo si të dyshuar.