Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara e ka hedhur poshtë ankesën ligjore të Republikanëve, të cilët kërkuan që 2.5 milionë vota me postë të mos numërohen në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në Pensilvani.
Përmes një urdhri të shkurtër, kjo gjykatë e refuzoi kërkesën e kongresistit Mike Kelly, që është aleat i Trumpit, dhe disa republikanëve tjerë në Pensilvani, të cilët paraqitën ankesë pas zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit. Ata pretenduan se zgjerimi i votimit me postë ishte ilegal sipas ligjit shtetëror, shkruan Reuters.
Pensilvania ishte një ndër shtetet kyçe në garën për president. Joe Biden shënoi fitore kësaj radhe, por Trumpi kishte fituar në këtë shtet në vitin 2013. Zyrtarët tashmë e kanë certifikuar rezultatin në Pensilvani, duke e konfirmuar fitoren e Bidenit.
Trumpi vazhdimisht ka pretenduar pa fakte se në zgjedhje ka pasur mashtrime në disa shtete, përfshirë Pensilvaninë. Demokratët dhe kritikët e kanë akuzuar presidentin në largim se po synon që ta zvogëlojë besimin e publikut në integritetin e zgjedhjeve amerikane dhe po e minon demokracinë përmes përpjekjes për ta ndryshuar vullnetin e votuesve.
Bideni fitoi në Pensilvani me epërsi prej rreth 80 mijë votash dhe mori shumë më shumë vota se Trumpi nga ata që votuan me postë. Numri i votave me postë në këto zgjedhje ishte shumë mkë i lartë për shkak të shqetësimeve shëndetësore në kohën e pandemisë.