Pesë ekspertët që kanë përpiluar akt-ekspertimin ekonomiko-financiar të dosjes “Gërdeci” u shfaqën të pazotë për t’iu përgjigjur pyetjeve të avokatëve në procesin ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në Gjykatën e Posaçme.
Ekspertët u thirrën në gjyq me kërkesë të mbrojtjes, që më herët ka vënë në pikëpyetje jo vetëm konkluzionet e tyre, por edhe mungesën e licensimit, të të qenit funksionarë shtetërore, si edhe faktin se janë shprehur për çështje juridike, jashtë ekspertizës së tyre.
Që në nisje, ekspertët thanë se i donin pyetjet me shkrim, pasi ekspertimi ishte firmosur nga të pestë dhe se nuk mund të binin dakord në çështje sekondash për përgjigjen.
Seanca e së mërkurës u shoqërua nga debate të forta me mes avokatëve edhe prokurorëve dhe avokatëve e gjykatës. Gjyqtarja Irena Gjoka refuzoi shumicën e pyetjeve të avokatëve drejt ekspertëve, çka ngjalli tension dhe replika. Tensioni kulmoi me urdhrin për nxjerrjen nga salla të avokatit të Mediut, Ardian Visha.
Për shkak të dinamikës së seancës, aktit voluminoz të ekspertimit dhe nevojës së ekspertëve për t’u konsultuar me shënime apo akte shkresore për përgjigjen, gjykata vendosi që pyetja e tyre të bëhej me shkrim. Gjykata i dha kohë palëve deri të enjten të depozitojnë listën e pyetjeve në kryesekretarinë e gjykatës, përcjelljen e tyre tek ekspertët dhe marrjen e përgjigjeve prej tyre në seancën e radhës, më 17 korrik.