Një grup prokurorësh nga e gjithë Shqipëria i janë drejtuar zyrtarisht Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke kërkuar thirrjen urgjente të Mbledhjes së Përgjithshme të Prokurorëve, për të diskutuar mbi sigurinë fizike dhe mbrojtjen e figurës së magjistratëve.
Kjo kërkesë vjen dy ditë pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, ngjarje që ka tronditur sistemin e drejtësisë në vend dhe ka ngritur pikëpyetje mbi masat e sigurisë brenda institucioneve gjyqësore. Sipas prokurorëve, kjo situatë përbën një rast të jashtëzakonshëm që kërkon reflektim dhe reagim të menjëhershëm institucional.
“Kjo situatë kërkon një reflektim të menjëhershëm institucional dhe një vendimmarrje kolektive, në mënyrë që magjistratët të mos jenë më të ekspozuar ndaj riskut fizik apo institucional në kryerjen e funksioneve të tyre kushtetuese”, theksojnë prokurorët dhe magjistratët.
Në letrën drejtuar kryeprokurorit Çela, ata kërkojnë që të diskutohen masat për rritjen e sigurisë fizike në ambientet e punës, përmirësimi i kushteve të transportit dhe mbështetja institucionale për lëvizjet e prokurorëve, si dhe përputhja e standardeve të sigurisë me ato të Bashkimit Evropian.
“Qëllimi i kësaj mbledhjeje është diskutimi dhe shqyrtimi i gjendjes aktuale të sigurisë në ambientet e prokurorive dhe i garancive për mbrojtjen e jetës, integritetit dhe pavarësisë funksionale të magjistratëve, përfshirë: Sigurinë fizike në ambientet e prokurorive (kontrollin e hyrjeve, pajisjet e sigurisë, praninë e policisë gjyqësore dhe të policisë së shtetit); Kushtet e transportit dhe lëvizjes së prokurorëve, si dhe nevojën për kompensim apo mbështetje institucionale për transportin dhe akomodimin; Rishikimin e standardeve të sigurisë në raport me praktikat e Bashkimit Evropian dhe udhëzimet e CEPEJ dhe Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë; Marrjen e masave konkrete për garantimin e kushteve minimale të sigurisë, konfidencialitetit dhe dinjitetit në ushtrimin e detyrës”, shkruhet ne letrën e prokurorëve.
Një tjetër shqetësim i ngritur është gjuha e urrejtjes dhe sulmet publike ndaj magjistratëve, sidomos nga figura politike apo portale, që cenojnë pavarësinë dhe autoritetin e tyre.
“Kjo dukuri cenon autoritetin institucional dhe pavarësinë funksionale të trupës së magjistratëve, duke krijuar një klimë presioni dhe pasigurie në ushtrimin e detyrës. Është e nevojshme që sistemi i prokurorisë, përmes organeve të veta përfaqësuese, të mbajë një qëndrim të qartë institucional ndaj këtij fenomeni dhe të ndërmarrë nisma për forcimin e mbrojtjes së figurës, dinjitetit dhe sigurisë së magjistratëve”, thuhet në letrën e prokurorëve.
Prokurorët kërkojnë që mbledhja të zhvillohet brenda afatit më të shkurtër të mundshëm, për të hartuar propozime konkrete që do t’i paraqiten institucioneve shtetërore për forcimin e sigurisë dhe mbrojtjes së magjistratëve.