Kjo ishte kapja më e madhe e bërë ndonjëherë në Galicia, një rajon që ka shërbyer prej kohësh si një portë për në Evropë për kokainën nga Amerika Latine dhe që nxjerr në pah fuqinë e të ashtuquajturit ‘karteli ballkanik’.
Njëmbëdhjetë ton kokainë të importuar nga organizata kriminale shqiptare janë sekuestruar në Spanjë në dy operacione, njoftoi të martën policia spanjolle, duke nënvizuar rëndësinë e mafias ballkanike në trafikun e drogës.
“Në një javë, ne kemi arritur të heqim 11 ton kokainë nga tregu”, tha në një konferencë për shtyp në Madrid, Antonio Martínez Duarte, kreu i Brigadës Qendrore të Njësisë për Drogën dhe Krimin e Organizuar të policisë spanjolle.
Droga e sekuestruar erdhi nga Kolumbia nëpërmjet Ekuadorit dhe u gjet në kontejnerë që kishin mbërritur në portet e Vigos, në Galicia dhe Valencia.
Në operacionin e parë, policia në Vigo sekuestroi 7.5 ton kokainë të fshehur në fileto peshku të ngrirë. Operacioni i dytë, në Valencia, rezultoi në sekuestrimin e 3.4 ton kokainë të fshehur në fundet e dyfishta të kontejnerëve detarë.
Njëzet persona u arrestuan në këto dy operacione nga fundi i nëntorit deri në fillim të dhjetorit. Shumica ishin shqiptarë, por përfshinin edhe një kolumbian, një dominikan dhe disa spanjollë, duke përfshirë një sipërmarrës galician që përdorte biznesin e tij të importit të peshkut për të organizuar transportin e drogës.
“Evropa duhet të reduktojë kërkesën e saj për kokainë”, thotë ministri kolumbian i Mbrojtjes
Dy të akuzuar pas kapjes rekord të kokainës prej 150 milionë eurosh në brigjet e Irlandës
“Të dy operacionet nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin. E vetmja lidhje mes tyre qëndron në faktin se ne besojmë se organizatat që qëndrojnë pas tyre janë me origjinë shqiptare”, tha Duarte, duke theksuar se mafiozët e Evropës Juglindore, me nofkën “Karteli ballkanik”, ishin me “interes shumë të ngushtë për të gjitha forcat policore europiane”.
“Mafia shqiptare ka disa kohë që monopolizojnë transportin e drogës. Jo vetëm në Evropë, por edhe në Amerikën Latine. Këto organizata janë vendosur në vendin e origjinës (Amerika Latine) dhe kontrollojnë transportin e drogës nga fillimi në fund.”, ai shtoi.
Sipas komisionerit Carlos Gómez, kreu i Skuadrës Qendrore të Drogës, kontrolli i trafikut të kokainës në Evropë ka ndryshuar duart.
“Ne kemi kaluar nga organizata hermetike, të mbyllura, si organizatat e vjetra kolumbiane dhe meksikane që kontrollonin të gjithë procesin, në organizata shumë më të hapura, të atomizuara, të ndërkombëtarizuara që shkojnë aq larg sa të krijojnë kooperativa kriminale për të ndarë burimet”, shpjegoi ai.