Rregullat e reja të miratuara nga kongresi i El Salvadorit, do t’i lejojnë gjykatat që ti gjykojnë anëtarët e bandave të vëna nën akuzë, në gjyqe masive. Kjo është një përpjekje për të përshpejtuar dhjetëra mijëra çështje për ata që janë arrestuar nën goditjen e ashpër ndaj bandave të rrugës.
Ndryshimet në kodin penal të vendit janë të fundit në luftën e Presidentit Nayib Bukele, kundër bandave Barrio 18 dhe Mara Salvatrucha (MS-13), e cila filloi vitin e kaluar, kur lideri shpalli një “gjendje të jashtëzakonshme” në përgjigje të një vale të re dhune.
Qeveria e tij pezulloi të drejtat kushtetuese dhe ka arrestuar 71,976 persona të akuzuar se ishin anëtarë të bandave, ose 1% e popullsisë së vendit. Ata janë mbyllur në burgje, duke ndezur valën e akuzave për shkelje të të drejtave të njeriut.
Rreth 30% e të arrestuarve kanë lidhje të qarta me krimin e organizuar, vlerëson grupi i të drejtave të njeriut Cristosal.
Rregullat e reja lejojnë mbajtjen e gjyqeve për grupe të pandehurish bazuar në atë zonë ku ata jetonin dhe se çfarë një grup më i vogël brenda një bande kontrollonte në atë territor.
Legjislacioni gjithashtu rrit kohën e burgut për ata që janë gjetur si drejtues bandash nga 45 në 60 vjet.
Qeveria ka përdorur strategji të ngjashme edhe në pjesë të tjera të goditjeve të saj, duke grumbulluar grupe të mëdha njerëzish shpesh bazuar në mënyrën se si dukeshin dhe ku jetonin.
Qeveria formuloi akuza masive, ku gjyqtarët u përballën me nga 50 deri në 500 të arrestuar në të njëjtën kohë, shpesh duke mos marrë parasysh dokumentet dhe provat e tjera që flasin për karakterin e atyre që përballen me akuzat.
Rregullat e reja të gjyqit, të cilat u propozuan javë më parë, u miratuan nga shumica në kongres që mbështet Bukelen, ndërsa një grup më i vogël politikanësh të opozitës votuan kundër ndryshimit.
Johnny Wright Sol, nga partia konservatore Nuestro Tiempo, i quajti ndryshimet “një skemë e krijuar për të zbatuar planin e qeverisë për të mbajtur të gjithë të arrestuarit pa një bindje të fortë”.
“Të bësh këto lloj dënimesh masive, ashtu siç kanë bërë me kapjet, është shkelje e procesit të rregullt dhe shkelje e të drejtave individuale të të gjithë të akuzuarve,” tha ai. Apnews