Mediat në Rusi i kanë kushtuar shumë vëmendje golit të Mirlind Dakut ndaj Zenit St. Petersburgut, në kuadër të kampionatit rus.
Gjatë afatit kalimtar veror ishte përfolur gjatë një kalim i mundshëm i Dakut nga Rubin Kazani te Zeniti, por transferimi nuk u realizua.
Daku qëndroi te Rubini dhe të dielën u bë hero i skuadrës, duke shënuar në minutën e 90-të për barazimin 2:2. Golin e parë për Rubin e realizoi reprezentuesi i ri i Kosovës, Veldin Hoxha.
Trajneri i Rubin Kazanit, Rashid Rakhimov, u pyet nëse kjo ndeshje kishte rëndësi të veçantë për Dakun. Ai pranoi se Daku nuk pati paraqitjen më të mirë, por theksoi rëndësinë e golit të tij.

“Ai duhet ta kuptojë se të gjitha ndeshjet janë speciale për të. Ai ka një nivel të caktuar, por nuk e mban atë gjatë 90 minutave. Kur fillon, çdo gjë është e qartë. Çfarë dallimi bën nëse ka kaluar në Zenit apo jo? Janë të gjitha ndeshje kampionale, ju vetëm duhet të mbani nivelin, stabilitetin dhe të zhvilloheni tutje”, ka thënë Rakhimov.
Kapiteni i Rubin Kazanit, Igor Vujaçiq, ka lavdëruar Dakun, duke e cilësuar ndër më të mirët në Rusi dhe me potencial për të luajtur në La Liga.

“Duhet të prisni momentin që ai të realizojë. Mbrojtësit e Zenitit kanë luajtur mirë ndaj tij. Ishte e vështirë për të, është dashur të bëjë shumë pa top. Por në pjesën e dytë gjeti momentin e tij. Kjo është forca e Dakut”, ka thënë Vujaçiq.
Mbrojtësi i Zenitit, Vanja Drkushiq, dhe trajneri Sergei Semak gjithashtu kanë vlerësuar Dakun, duke e cilësuar atë si një nga lojtarët më të mirë në kampionatin rus.