Kompania mëmë e Google, Alphabet, po shpërndan chatbotin e saj të inteligjencës artificiale Bard në Evropë dhe Brazil.
Ky është zgjerimi më i madh i produktit që nga lançimi i tij në mars në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar dhe nxeh rivalitetin me ChatGPT të Microsoft-it.
Të dy janë shembuj të Inteligjencës Artificiale gjeneruese që mund t’i përgjigjet pyetjeve në një mënyrë të ngjashme me njeriun.
Lançimi i Bard në BE ishte shtyrë pasi rregullatori kryesor i të dhënave në bllok ngriti shqetësime për privatësinë.
Komisioni Irlandez i Mbrojtjes së të Dhënave tha se gjigandi i teknologjisë nuk kishte dhënë informacion të mjaftueshëm se si mjeti i tij gjenerues i Inteligjencës Artificiale e mbronte privatësinë e europianëve për të marrë një dritë jeshile për operim në Bllok.
Kompania tha se që atëherë është takuar me mbikëqyrësit për t’i siguruar ata për çështjet që kanë të bëjnë me transparencën, zgjedhjen dhe kontrollin.
Në një konferencë me gazetarët, Amar Subramanya, nënkryetar inxhinierik i Bard, shtoi se përdoruesit mund të zgjedhin që të dhënat e tyre të mblidhen ose jo.
Subramanya nuk pranoi të komentonte nëse kishte plane për të zhvilluar një aplikacion Bard.
“Bard është një eksperiment,” tha ai. “Ne duam të jemi të guximshëm dhe të përgjegjshëm”.