“Qytetarët i grabisja pasi kisha një kredi për të larë”. Kjo është dëshmia e policit bashkiak të Tiranës, Sajmir Muzikanti.
39 vjeçari bashkë me oficerin e rendit të komisariatit nr.1, Serxhio Cani 22 vjeç, u merrnin para me forcë qytetarëve të moshave të ndryshme.
Polici bashkiak i kryente grabitjet gjatë kohës që ishte në krye të detyrës. Kjo faktohet edhe nga dëshmia e tij.
“Sa herë që isha turni i tretë në punë merrja në telefon Serxhion dhe i thoja hajde dalim nga Liqeni.
Për shkak të kredisë që kam detyrohesha t’u merrja paratë me zor qytetarëve. Këtë gjë e kam bërë në bashkëpunim me Serxhion”, ka dëshmuar ai.
Ndërsa Serxhio Cani, me detyrë polic patrulle ka mohuar se është përfshirë në grabitje. Por, provat e mbledhura nga kolegët e tij dhe oficerë të Agjensisë së Mbikqyrjes Policore hedhin poshtë qëndrimet e 22 vjeçarit.