Një efektiv i policisë ka mbetur i plagosur gjatë një grabitje spektakolare e një argjendarie në Suharekë të Kosovës. Gjatë grabitjes, efektivi i policisë ka ndërhyrë kur katër persona të armatosur me kallashnikovë po tentonin të grabitnin argjendarinë. Nga të shtënat e shkëmbyer me autorët, polici ka mbetur i plagosur në këmbë dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme, kur policia ka marrë informacion se po grabitej një argjendari në Suharekë dhe sapo efektivët kanë mbërritur në vendngjarje, autorët kanë shtënë në drejtim të tyre, duke lënë të plagosur njërin nga policët.
“Një grabitje ka ndodhur në një dyqan të argjendarisë në Suharekë rreth orës 15:45. Patrullat policore të Stacionit të Policisë së Suharekës janë informuar menjëherë dhe kanë shkuar në vendngjarje.
Rreth orës 16:03 min kemi marrë informatën se vetura e dyshimtë është një veturë e pasagjerëve. Sapo Policia ka mbërritur në vendngjarje, të dyshuarit kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të Policisë. Gjatë intervenimit një zyrtar policor ka mbetur i plagosur në këmbë”, ka thënë Vesel Gashi nga Policia e Prizrenit.
Ndërkaq, autorët e dyshuar janë shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës dhe po punohet për kapjen e tyre.