Policia e Kosovës ka dhënë detaje për rastin e grabitjes së në banke në Prishtinë, të premten në orët e mëngjesit.
Policia njofton se tre persona të maskuar dhe të armatosur kanë kryer grabitje në një bankë private dhe kanë marr rreth 8 mijë euro.
“Rr. Idriz Gjilani, Prishtinë 01.04.2022 – 08:40. Raportohet se tre persona të maskuar dhe të armatosur kanë kryer grabitje në një bankë private. Sipas ankueseve, dyshohet se janë grabitur rreth 8000 euro. Rasti është duke u hetuar”, njofton Policia.
Ndryshe, pas grabitjes së bankës kanë reaguar edhe Shoqata e Bankave të Kosovës.
Shoqata ka kërkuar nga autoritetet përgjegjëse që të jenë më të përkushtuara për parandalimin, ndjekjen dhe zbulimin e këtyre rasteve.
Shoqata e Bankave të Kosovës thekson se në vitet e fundit sektori bankar është ballafaquar me numër të lartë të sulmeve të armatosura, gjë që paraqet një shqetësim serioz për këtë sektor.
“Siguria e bizneseve për të vepruar lirshëm është e garantuar dhe duhet të mbrohet me çdo kusht nga institucionet e sigurisë, prandaj kërkojmë veprime konkrete dhe të menjëhershme nga autoritetet përkatëse për të ofruar një ambient të sigurt për bizneset dhe qytetarët në Kosovë”, thuhet më tej.