Një grabitje e armatosur raportohet se ka ndodhur sot në Termocentralin “Kosova A”.
Nga hetimet e para, dyshohet se grabitja është kryer nga dy persona të armatosur.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
“Rreth orës 03:00 është raportuar për një grabitje të ndodhur në Termocentralin Kosova A. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga hetimi preliminar dyshohet që grabitja të jetë kryer nga dy të dyshuar të armatosur të cilët më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes”, tha Borovci.
Ai shtoi se nuk raportohet për të lënduar, ndërkaq dyshohet të jenë grabitur kabllo rryme vlera e të cilave ka mbetur të konfirmohet.
“Aktualisht policia ka iniciuar një hetim lidhur me rastin dhe po vazhdon ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme policore me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit”.