Është përmbyllur struktura e financimit të linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit dhe tashmë mund të nis zbatimi.
Nga marrëveshja e firmosura nga Ministri i Financave, ambasadori i Bashkimit Europian dhe përfaqësuesja e BERZH në Shqipëri përfitohet një grant prej 136 milionë euro duke garantuar më shumë investime në veprën infrastrukturore 120 kilometra të gjatë. Hekurudha parashikohet të përfundojë në 2030-ën.
“Ky është granti më i lartë nga BE për Shqipërinë për projekte investimi. Plani i ri i Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor nga i cili Shqipëria pritet të përfitojë mbi 900 milionë Euro do të krijojë mundësi për financime të tjera në formën e granteve apo kredive të buta. Synimi është progresi i reformave dhe përshpejtimi i investimeve. Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet që këtë angazhim të ri të përbashkët, ta realizojmë me sukses brenda afateve ambicioze. Bashkëpunimi i shkëlqyer deri më sot na bën optimistë që kjo mundësi e re të bëhet realitet siç është dhe projekti që po firmosim sot”, tha Ervin Mete, ministër i Financave.
Ky investim i cili është pjesë e strategjisë së BE-së për ta shtrirë Rrjetin Trans-Evropian të Transportit të BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor, do të rrisë ndjeshëm trafikun e mallrave dhe të pasagjerëve por dhe turizmin ndërkombëtarë.
“Ky investimi më i madhi i BE-së në Shqipëri deri më sot do të rilidhë shqiptarët brenda pjesës tjetër të rajonit dhe Evropës me tren. Linja hekurudhore e rinovuar do të nxisë udhëtimet brenda vendit por dhe turizmin ndërkombëtar”, u shpreh Ambasadori Silvio Gonzato, Shef i Delegacionit të BE-së në Shqipëri.
BERZH, si institucioni financiar kryesor ndërkombëtar në projekt garantoi mbështetjen për të nxitur më shumë edhe lidhjet rajonale.
“Ky projekt është një dëshmi e angazhimit tonë të përbashkët për të nxitur lidhje më të forta rajonale në Ballkanin Perëndimor dhe për ta sjellë atë më pranë BE-së. Duke investuar në infrastrukturën e gjelbër, ne po i hapim rrugën rritjes ekonomike dhe një të ardhmeje më të qëndrueshme”, tha Ekaterina Solovova, shefe e BERZH-it në Shqipëri.
Në total, linja hekurudhore kushton 373 milionë euro. Investimet do t’u mundësojë Hekurudhave Shqiptare të elektrizojnë më shumë se 120 km binarë dhe të rinovojnë 12 stacione treni, sisteme sinjalizimi, por dhe sigurie.