Emisari i Presidentit Amerikan në bisedimet Kosovë –Serbi Richard Grenell,në një intervistë ekskluzive për Emisionin Pressing të T7 ka siguruar se asnjëherë nuk ka folur me Thacin e Vuciq rreth shkëmbimit të territoreve si një zgjidhje ndërmjet Kosovës e Serbisë.
“Kurrë. Kurrë nuk është ngritur si çështje në praninë time dhe siç thashë, kjo nuk është diçka që e kam parë ose që është folur për të dhe meqë ra fjala, më lejoni të jem shumë i qartë. E kam thënë këtë më parë. E kemi thënë këtë në Tëitter, kemi lëshuar deklarata për medie, kur ato kanë kërkuar. Kjo nuk është hera e parë që kemi qenë të qartë se këto thashetheme janë thjesht kaq, janë thashetheme” ka thënë ai.
I pyetur nëse për të shkëmbimi i territoreve është një opsion i mirë, Grenell e ka përjashtuar këtë. “ Unë personalisht jo. Unë nuk e shoh këtë si opsion” ka thënë emisari amerikan.
Grenell ka thënë se Shtetet e Bashkuara kërkojnë heqjen e taksës në mënyrë që të vazhdojë bashkëpunimi dypalësh.
“Duam që të largohet taksa në mënyrë që të vazhdojnë bashkëpunimi dhe puna jonë dypalëshe” ka thënë ai.
Grenell ka thënë se SHBA besonse taksa ishte duke e dëmtuar popullin e Kosovës.
“Ne besojmë se taksa duhet të largohet pa mëdyshje dhe menjëherë, sepse po e lëndonte popullin e Kosovës. Nuk është duke e ndihmuar zhvillimin ekonomik, që është qëllimi ynë, prandaj ne ishim duke u siguruar që të gjitha agjencitë qeveritare të Shteteve të Bashkuara do ta përkrahnin atë politikë” ka theksuar Grenell.