Richard Grenell, ish-i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, ka kritikuar administratën e re amerikane se ka lënë prapa “arritjet e ish-presidentit Donald Trump” për Ballkanin.
Sipas tij, më askush nga SHBA-ja s’po u kushton vëmendje shteteve të Ballkanit.
Në një intervistë për “Kash’s Corner”, Grenelli ka lavdëruar Marrëveshjen e Washingtonit, të arritur më 4 shtator të 2020-s në Shtëpinë e Bardhë. Sipas tij, pika më e suksesshme ka qenë ajo e moratoriumit për njohje nga Kosova dhe çnjohje nga ana e Serbisë.
“Qenë arritur katër marrëveshje ekonomike dhe tani është shumë e vështirë për mua ta shoh se si ekipi i Bidenit ka dështuar totalisht në Ballkan. Mendoj që s’po i kushtojnë fare vëmendje”, ka thënë fillimisht ai.
Teksa e ka quajtur historike Marrëveshjen e Washingtonit, Grenelli ka thënë se asnjëra palë nuk e donte moratoriumin, por kjo u arrit “falë” Trumpit.
“Zgjati për atë vit. Dhe më pas në fund të vitit, sivjet, të dyja palët tani po kërkojnë njohje në njërën anë dhe çnjohje në tjetrën, sepse skadoi afati. Ekipi i Bidenit ka mundur lehtë të shihte këtë marrëveshje e të thoshte se çka duhet të rinegociohet apo të mbahet apo se çfarë mund të bëjmë për të përmirësuar. Por askush s’e ka shikuar. Mund të them se duke folur me të dyja palët, askush nga ekipi i Bidenit s’u është afruar për të vazhduar kampanjat. Më e rëndësishmja ka qenë të vazhdohet”, ka thënë ai, duke shtuar se edhe në “Ballkan e dinë që më s’e kanë vëmendjen e SHBA-së”.
Grenelli ka thënë se edhe pse tash s’ka funksione politike “po bën çmos për ta implementuar marrëveshjen”.
Megjithatë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar të vazhdohet me moratoriume duke i kërkuar Kosovës të mos aplikojë për anëtarësime në organizata ndërkombëtare e Serbisë fushatën e çnjohjeve. Pavarësisht kërkesave, Kosova dhe Serbia kanë zgjedhur të heshtin karshi rekomandimeve.
Më 4 shtator 2020, ish-kryeministri Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në praninë e ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, patën nënshkruar zotimet që njihet si Marrëveshja e Washingtonit. Ajo marrëveshje qe kritikuar nga udhëheqja aktuale e ekzekutivit.