I dërguari i posaçëm i SHBA-së për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell e ka quajtur lajm të rremë raportin se SHBA-ja mbetet e hapur për shkëmbimin territoresh mes Kosovës dhe Serbisë. Përmes llogarisë së tij zyrtare në “Twitter”, Grenell ka thënë se një gjë e tillë nuk është e saktë.
“Është lajm i rremë”, shkruan Grenell, teksa e ka komentuar artikullin e publikuar të marten nga “Euobserver”.
Lexo edhe: SHBA-ja mbetet e hapur për shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë
Në artikullin e “Euobserver” shkruan se SHBA-ja nuk dëshiron që ta përjashtojë mundësinë e shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, me gjithë kundërshtimin e Gjermanisë.
Përmes “Twitter”-it, Grenell po ashtu ka thënë se “Euobserver” nuk e ka kontaktuar dhe as që ka kërkuar përgjigje rreth kësaj çështjeje.
“Unë mbështes atë për të cilën dy palët pajtohen. Jam i fokusuar tek zhvillimi ekonomik, e jo politika”, shkruan ai.