I dërguari special i presidentit amerikan Donal Trump, për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, ripërsëriti sot se një marrëveshje për të riaktivizuar shërbimin hekurudhor midis dy rivalëve të Ballkanit, Kosovës e Serbisë, është e rëndësishme për të dy kombet.
Richard Grenell, i cili është edhe ambasador amerikan në Berlin të Gjermanisë, tha sot për “The Associated Press” se vendosja e linjave hekurudhore u bë pasi zyrtarët amerikanë ndërmjetësuan një marrëveshje tjetër në fillim të kësaj jave, për linjën ajrore Prishtinë-Beograd, pas 21 vjetësh, transmeton Koha.net.
Grenelli tutje tha se SHBA-ja dëshiron që të dy palët të përqendrohen në ekonomi, vende të reja pune dhe prosperitet si rrugë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Kujtojmë se i dërguari special i Trumpit, Grenelli, dje në një bisedë telefonike për gazetën “Koha Ditore”, ka bërë të ditur se është arritur marrëveshja në parim për hapjen e transportit hekurudhor ndërmjet shteteve.
Grenelli, tha të premten në një konferencë shtypi në Beograd se detajet e një marrëveshjeje për të rivendosur shërbimin hekurudhor do të diskutohen në një takim në Berlin, gjatë ditës së hënë.
“Vizioni i presidentit Trump po zbatohet tani. Komuniteti i biznesit dhe përqendrimi në krijimin e vendeve të punës po i hap rrugët”, tha Grenelli në një intervistë të sotme për AP-në.
Grenelli u emërua nga Trumpi në muajin tetor si i dërguari special për bisedime për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian filluan në vitin 2011 por kanë ngecur prejkur Kosova vendosi taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe.
AP, shkruan tutje se Serbia nuk e pranon shpalljen e pavarësisë së Kosovës prej vitit 2008, megjithëse, shkruan kjo gazetë, “ish-provinca e saj është njohur nga rreth 100 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shumicën e vendeve të BE-së”.
Ai i tha AP-së se i ka kërkuar Serbisë dhe Kosovës të largojnë pengesat që kanë bllokuar bisedimet për më shumë se një vit.
Kujtojmë dhe njëherë se dje, Grenelli pas një takimi që ka pasur me presidentin Aleksandër Vuçiq, që pasoi takimet në Kosovë me Albin Kurtin e Isa Mustafën, ka thënë se Kosova duhet ta heqë taksën, teksa Serbia duhet të ndalojë me përpjekjet e saj për t`i bindur shtetet ta tërheqin njohjen e shtetësisë së Kosovës.