Të paktën 11 persona kanë vdekur pas fundosjes së një varke me dhjetra migrantë në bord në brigjet veriperëndimore të ishullit grek të Kretës të enjten në mbrëmje, raportoi roja bregdetare greke.
Rreth 90 persona të tjerë, duke përfshirë 27 të mitur, ia dolën të arrinin në një dalje shkëmbore pas aksidentit, deklaroi një zëdhënës i rojes bregdetare, duke shtuar se të mbijetuarit janë vendosur në një vend të sigurt në grupe të vogla.
Roja bregdetare njoftoi gjithashtu të premten se, 92 emigrantë të tjerë ishin kapur nga policia në jug të gadishullit të Peloponezit të kontinentit grek, pasi varka e tyre ishte fundosur pranë qytetit të vogël, Gytheion. “Tre persona janë arrestuar, të dyshuar si trafikantë të qenieve njerëzore”, tha ai.
Të mërkurën, tre migrantë kanë humbur jetën pas fundosjes së një varke tjetër në detin Egje pranë ishullit Folegandros. Dhjetra persona që ishin në bord të premten janë shpallur të zhdukur.
Aksidente të tilla ndodhin shpesh pasi migrantët përpiqen të arrijnë në kontinentin grek ose italian nga brigjet turke të Egjeut ose tjetërkund në Mesdheun lindor, duke shmangur një qëndrim potencialisht të gjatë në një nga kampet e refugjatëve në ishujt grekë.