Bota
Greqi-Turqi: Grindja nuk është e pazgjidhshme
Gjendja mes Ankarasë dhe Athinës po fillon të çtensionohet. Por konflikti është i rrënjosur thellë në kulturën e këtyre vendeve. Në ishullin që ndodhet në zemër të përplasjes greko-turke, njerëzit kanë halle të tjera.
Kur Tsikos shikon nga restoranti i tij në drejtim të Lindjes, para syve ka menjëherë tokën turke. Ishulli i tij, Kastelorizo së bashku me bregun e qytetit turk, Kas krijon një lloj gjiri të hapur. Më afër është kryeqyteti i ishullit Rhodos, gati katër orë larg me anije. Kështu është normale që 150 banorët e Kastelorizos blerjet i bëjnë tek fqinji turk, ose shkojnë thjesht të pijnë një kafe në shtetin fqinj. Këtu Tsikos është njohur edhe me gruan e tij. Të dy janë martuar në Turqi, dhe në verë drejtojnë një restorant në Kastelorizo, kurse në dimër jetojnë në Kas. “Kjo është martesa e parë që ka dalë nga fqinjësia jonë”, thotë Tsikos.
Jo larg ishullit, deri para pak ditësh parakalonte anija turke e kërkimeve, Oruc Resi e shoqëruar nga anijet luftarake turke, të cilat po ashtu ishin të rrethuara nga marina greke. Para disa javësh pati një përplasje mes dy anijeve, një “incident kritik”, siç raportuan shumë media greke. Athina dhe Ankaraja akuzuan njëra-tjetrën, se janë përgjegjëse për incidentin. Pikërisht nga incidente të tilla kanë frikë njerëzit në Kastelorizo. Asnjeri nuk do luftë me palën tjetër. “Ne jemi miq dhe si familje”, thotë Tsiko. E nuk janë tensionet me Turqinë që u krijojnë shqetësim njerëzve në Kastelorizo, me to njerëzit janë mësuar megjithëse këtë vit tensionet ishin më të forta, problemin kryesor për ta e krijon pandemia. “Para Covidit kishim një marrëdhënie të ngushtë. Çdo ditë kishte aniije, me to shkonim në Kas apo njerëzit në Kas vinin tek ne. Mund të themi, se në përgjithësi kemi pak a shumë të njëjtat qëndrime. Ne si njerëz nuk na ndan gjë”, thotë Tsiko.

Njerëzit në Kastelorizo janë të zemëruar edhe për mënyrën, se si konflikti stilizohet nga ana mediatike. Mediat e çdo vendi kanë mënyrën e vet të raportimit, thotë Tsikos. Pala turke është ndoshta pak më agresive. Por as mediat greke nuk kontribuan shumë në uljen e shkallëzimit, përkundrazi. “Një televizion filmoi lundrimin parakalues të një anijeje greke dhe turke, dhe e etiketoi si “gati një kolidim” i ri. Ndërkohë që asgjë nuk kishte ndodhur.”
Askush në ishull nuk dyshon, se ka një konflikt. Me këtë njerëzit në të dyja anët jetojnë prej kohësh. Por raportimi i ekzagjeruar mediatik ka të bëjë pak me realitetin e njerëzve këtu. “Ajo që shohim në televizor nuk qëndron”, thotë pronarja e restorantit, Nista Kontou. Për shkak të Coronës ajo ka këtë vit shumë humbje. Aq më shumë e dëmton frika e përhapur nga mediat, tani ka edhe më pak klientë.” Ishulli ynë është i sigurtë”, thotë ajo.
Më shumë politikë se grindje ligjore
Gati 500 vjet, Greqia ka qenë pjesë e Perandorisë Osmane. Krijimi i Turqisë së sotme dhe Republikës helene ishin rezultat i luftërave të përgjakshme me shumë humbje nga të dyja palët. Rivaliteti me fqinjin lindor, armiqësia e vjetër mes grekëve të krishterë ortodoksë dhe Turqisë myslimane nuk janë ngulitur thellë vetëm nga arsimi shkollor. Kufiri i sotëm mes dy vendeve është vendosur vetëm në vitin 1923 me Marrëveshjen e Lozanës.

Alexandros Sarris, i lindur në Athinë është profesor për të drejtën ndërkombëtare në Universitetin e Amsterdamit. Tema kryesore e tij është e drejta detare. Ai i sheh me shqetësim zhvillimet në kufijtë lindorë të vendlindjes së tij. “Erdogan flet për kufijtë e zemrës së tij. Por kjo nuk ka të bëjë aspak me kufijtë e vërtetë. Unë besoj, se ai e ka fjalën për kufijtë e Perandorisë Osmane.” Në një kohë që retorika e presidentit turk ndodhet në ekspansion, ekonomia turke shënon rënie. Lira turka ka pësuar humbje të thella. A është në kohën e duhur një konflikt ushtarak? “Nëse nuk gabohem, sipas një teorie, ekonomia nuk bazohet në paqe, por e ka një këmbë në luftë. Ndoshta këto lojëra luftarake janë një përpjekje të paktën të fitojë për vete luftën ekonomike”, dyshon Sarris.
Jo enigmë e pazgjidhshme
Si ekspert për të drejtën detare, konfliktin greko-turk, Sarris nuk e sheh aq si problem juridik. “E drejta detare është një ndër aspektet e të drejtës ndërkombëtare, që më së paku ofron enigma. Ajo është e analizuar mirë dhe e përpunuar mirë në juridiksionin ndërkombëtar. Ka shumë pak zona gri, dhe shumica e tyre kanë të bëjnë me atë se çfarë ndodh përtej 200 miljeve.” Grindja në Egje nuk është ndonjë risi juridike. “Çfarëdo që ndodh aty, është zgjidhur njëherë më parë në raste të tjera.”
Prandaj grindja është një çështje negociatash. Por që këto të jenë të suksesshme, duhet që të dyja palët të bien dakord për kuadrin juridik. Pikërisht në këtë pikë të dyja palët janë shumë larg njëra-tjetrës. Athina bazohet tek Konventa e OKB-së për të Drejtën Detare e vitit 1982. Sipas saj, çdo ishull ka një zonë të vetën ekonomike, gjë që e kufizon tejmase hapësirën e veprimit turk. Turqia nuk e ka nënshkruar këtë konventë dhe thotë, se ajo nuk është e praktikueshme në Egje. “Nga njëra anë Turqia e zbaton të drejtën detare në Detin e Zi, ku ajo e ka zgjeruar territorin e saj detar me 12 milje. Kur vjen puna tek Egjeu, Ankaraja nuk e njeh ligjin”, kritikon Sarris.

Pasi anija kërkimore turke, Orcu Reis është larguar nga zona kritike në Mesdheun Lindor, tensionet janë ulur. Sarris, i cili është shkolluar edhe në Universitetin e Harvardit për negociata, shikon në këtë grindje edhe hapësirë veprimi për Turqinë. “Turqia është një shtet bregdetar dhe nuk mund t’ia marrësh asaj të drejtat. Ajo ka qasje në Egje, në Detin e Zi dhe në Mesdhe. Ajo ka të drejta, por çështja është se si i zbaton ato. Në rastin e vendeve fqinje apo ato në anën tjetër të detit, kufijtë e jashtëm nuk mund të përcaktohen saktësisht me ligjin e Konventës Detare, thjesht sepse nuk hapësira nuk mjafton apo pretendimet janë të dyanshme.” Përgjatë Egjeut apo Mesdheut ka shumë vende. Pra duhen arritur ujdi, me shtetet që duan të zbatojnë të drejtën e tyre dhe jo të kërcënosh me dhunë.
Sarris nuk habitet, nëse negociatat mes dy vendeve mund të fillojnë, megjithë tensionet. “Tensione apo negociata ka pasur gjithmonë në histori.” Edhe njerëzit në Kastelorizo dëshirojnë që Ankaraja dhe Athina ta shuajnë grindjen. Atyre u nevojitet ndihmë për t’u rimëkëmbur pas një vere të përcaktuar nga Corona. Për probleme të tjera zë natyrës ushtarake njerëzit në këtë ishull nuk kanë nevojë.
Bota
20 pikat e Zelenskyt për t’i dhënë fund luftës, Rusia kundër!
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka prezantuar një plan me 20 pika për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, të cilin e ka cilësuar si “përpjekjen më të mirë” për arritjen e paqes. Drafti, i diskutuar së fundmi me përfaqësues të SHBA-ve dhe i paraqitur edhe ish-presidentit amerikan Donald Trump, konsiderohet rreth 90% i përfunduar, por mbetet ende i hapur për disa çështje kyçe.
Plani përfshin një sërë masash që synojnë stabilizimin e situatës në Ukrainë dhe parandalimin e një përshkallëzimi të ri të konfliktit.
Çfarë parashikon plani?
Mes pikave kryesore janë ngrirja e vijës së frontit, krijimi i një ushtrie të fuqishme ukrainase prej rreth 800 mijë trupash, e mbështetur financiarisht nga partnerët perëndimorë, si dhe vendosja e garancive të forta të sigurisë, të ngjashme me nenin 5 të NATO-s.
Gjithashtu, parashikohet anëtarësimi i Ukrainës në Bashkimin Europian, me kërkesën që të përcaktohet një afat i qartë për këtë proces. Kievi kërkon që kjo të jetë një garanci politike dhe strategjike për të ardhmen e vendit.
Siguria dhe garancitë ndërkombëtare
Plani përfshin një marrëveshje dypalëshe sigurie me Shtetet e Bashkuara dhe mbështetje ushtarake nga vendet evropiane, përfshirë mbrojtjen ajrore, tokësore dhe detare. Gjithashtu, parashikohet krijimi i një mekanizmi monitorimi për të shmangur rifillimin e luftimeve dhe për të garantuar respektimin e marrëveshjes.
Një tjetër element i rëndësishëm është lirimi i të gjithë robërve të luftës dhe civilëve të ndaluar, si dhe organizimi i zgjedhjeve pas arritjes së një marrëveshjeje paqeje.
Donbasi, nyja më e ndërlikuar
Rajoni i Donetskut mbetet pika më e vështirë e negociatave. Kievi refuzon çdo skenar që parashikon dorëzimin e territoreve të pushtuara dhe propozon krijimin e një zone të çmilitarizuar, ku të dyja palët të tërhiqen dhe siguria të garantohet nga forca ndërkombëtare.
Çështja e Zaporizhzhias
Një tjetër pikë e ndjeshme është centrali bërthamor i Zaporizhzhias, aktualisht nën kontroll rus. Zelensky propozon që ai të funksionojë si një “joint venture” mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, me administrim të përbashkët dhe mbikëqyrje ndërkombëtare. Sipas tij, kjo do të garantonte sigurinë energjetike dhe do të shmangte rreziqet e një aksidenti bërthamor.
Qëndrimi i Moskës
Nga ana tjetër, Moska ka reaguar me tone të ashpra. Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Perëndimi po përpiqet ta detyrojë Ukrainën të pranojë kushte të pafavorshme, ndërsa ka paralajmëruar se Rusia do të vazhdojë operacionet ushtarake nëse nuk arrihet një marrëveshje “e pranueshme”.
Putin ka theksuar se kontrolli i plotë i rajonit të Donetskut mbetet një nga objektivat strategjikë të Rusisë, duke e konsideruar atë një zonë kyçe për sigurinë dhe interesat e saj.
Bota
Peskov: Rusia pajtohet me vlerësimin e Trump, bisedimet në fazën përfundimtare
Kremlini tha se pajtohet me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, se bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë janë në fazën përfundimtare.
I pyetur nga gazetarët nëse Moska ndan vlerësimin e Trump pas bisedimeve me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u përgjigj: “Sigurisht”.
Peskov refuzoi të komentojë mbi idenë e një zone të lirë ekonomike në Donbas ose mbi të ardhmen e termocentralit bërthamor Zaporizhzhia, i cili kontrollohet nga Rusia, duke thënë se Kremlini e konsideronte të papërshtatshme.
“Për momentin, nuk e konsiderojmë të nevojshme të japim detaje”, tha ai.
Sipas tij Ukraina duhet të tërheqë trupat e saj nga pjesa e Donbasit që ende e kontrollon nëse dëshiron paqe dhe se nëse Kievi nuk arrin një marrëveshje, atëherë do të humbasë edhe më shumë territor.
Putin dhe Trump folën të dielën përpara takimit të Trump në Miami me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se një tjetër telefonatë ishte planifikuar shumë shpejt.
Bota
Kush është “zbatuesi hije” i Shtëpisë së Bardhë me ndikim të jashtëzakonshëm te Trump
Presidenti Trump ishte i lodhur. Gjatë një takimi me ligjvënësit e grupit republikan në Shtëpinë e Bardhë gjatë verës, Trump qortoi ashpër kreun e House Freedom Caucus, Andy Harris, sepse kishte ngritur shqetësime rreth legjislacionit kryesor të presidentit për taksat dhe shpenzimet. Trump kërkoi që Harris të rreshtohej…pastaj presidenti u largua papritur nga dhoma, sipas njerëzve që morën pjesë në takim.
Pasi Trump u largua, Harris e drejtoi zemërimin e tij te James Blair, një nga këshilltarët kryesorë të presidentit. Harris e akuzoi Blair-in se donte të gjente një sfidues republikan në zgjedhjet primare për ta rrëzuar atë.
“Unë thjesht punoj për presidentin, zotëri,” u përgjigj Blair, sipas njerëzve në dhomë. Ky nuk ishte një mohim.
Blair, një operativ 36-vjeçar qeros nga Florida, të cilin kolegët e përshkruajnë si intensiv dhe të zjarrtë, është bërë një figurë tejet e rëndësishme në mandatin e dytë të Trump-it, duke bindur ligjvënësit, duke zbatuar besnikërinë ndaj Trump-it, duke formësuar mesazhet e presidentit për shëndetësinë dhe ekonominë, si dhe duke orkestruar strategjinë e Shtëpisë së Bardhë për zgjedhjet e mesmandatit të vitit të ardhshëm.
Gjurmët e tij janë aq të dukshme në planin e rishpërndarjes së zonave të Republikanwve, saqë disa ndihmës të Shtëpisë së Bardhë i referohen atij si “Blairymandering.”
Titulli i Blair-it – zëvendësshef i stafit – nuk e pasqyron plotësisht ndikimin e tij. Ai ishte në mesin e shtatë zyrtarëve të lartë, përfshirë zëvendëspresidentin dhe Sekretarin e Shtetit, që përfaqësuan administratën ë një set fotografik të fundit për Vanity Fair. Ai e përshkroi veten si një “rojtar”.
“Presidenti mbështetet tek ai jashtëzakonisht shumë,” tha Russell Vought, drejtor i Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit, në një intervistë.
Deri më tani, Blair i ka mbajtur republikanët kryesisht të bashkuar rreth Trump-it. Ai ndihmoi në sigurimin e kalimit të paketës së taksave dhe shpenzimeve të Trump-it, duke kufizuar largimet nga radhët e republikanëve të Kongresit dhe duke fituar mbështetjen e Harris dhe konservatorëve të tjerë.
Në një deklaratë, Harris tha se “mosmarrëveshjet nuk janë të pazakonta gjatë negociatave të nivelit të lartë” dhe e quajti punën e Blair-it “të lavdërueshme”. Një zëdhënëse e Harris hodhi poshtë pretendimin se kongresmeni ngriti mundësinë e një sfide në primare gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë.
Por përpara ka sfida të mëdha. Blair po përpiqet të shmangë humbje republikane në mesmandat. Blair po punon për të parandaluar thellimin e çarjeve në Partinë Republikane. Dhe ai do të duhet të bindë republikanët skeptikë dhe gjykatat që të pranojnë përpjekjet e tij për të riformuar hartat e Kongresit.
Jo më një “i ngurtë”
Blair u soll në fushatën presidenciale të Trump-it të vitit 2024 nga atëherë shefja e fushatës Susie Wiles, e cila tani shërben si shefe e stafit të Shtëpisë së Bardhë. Wiles dhe Blair më parë punuan për guvernatorin e Floridës, Ron DeSantis, dhe më vonë u ftohën me të pasi u larguan në fillim të vitit të parë të guvernatorit në detyrë.
Një nga punët e para të Blair-it për Trump-in gjatë primareve të vitit 2024 ishte sulmi ndaj DeSantis, shpesh duke përdorur informacione rreth guvernatorit që i kishte mbledhur duke punuar për të.
Pas atentatit ndaj Trump-it në korrik 2024, Blair ndonjëherë sillte një jelek antiplumb dhe një armë në punë, kujtojnë ish-ndihmësit e fushatës.
Blair fillimisht nuk kishte një marrëdhënie të ngushtë me Trump-in, i cili u thoshte ndihmësve në atë kohë se ai ishte “i ngurtë”. Por Trump e njohu Blair-in pas zgjedhjeve dhe tani flet me të rregullisht, sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë.
Blair është kërkues, i prirur për të kritikuar dhe vazhdimisht në telefonin e tij, sipas njerëzve që e njohin. Disa në Uashington e quajnë atë “Orakulli” për shkak të njohurive të tij enciklopedike mbi të dhënat. Fjalitë e tij shpesh fillojnë me: “Presidenti dëshiron…”
“Ka një arsye pse Presidenti Trump e thërret zëvendësshefin e tij të stafit ‘James i Shkëlqyer’,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt.
Blair ndonjëherë ka përqafuar rolin e “policit të keq”, duke u dërguar lajme të vështira për t’u gëlltitur ligjvënësve. Ai u tha republikanëve që kishin shqetësime rreth paketës së taksave dhe shpenzimeve se një votë kundër legjislacionit do ishte një votë kundër presidentit dhe axhendës së tij dhe do trajtohej si e tillë, sipas njerëzve të njohur me bisedat. Kjo u pa nga disa ligjvënës si një kërcënim.
Ai shpesh këshillon ligjvënësit republikanë se si duhet të votojnë, si duhet të drejtojnë fushatat, kur nuk duhet të kërkojnë poste më të larta dhe kur Trump është i zemëruar. Ai u kujton ligjvënësve se Trump është më popullor në rrethet e tyre sesa janë ata vetë, duke sjellë ndonjëherë sondazhe për të përforcuar argumentin e tij. Ndërsa Trump ka bërë presion për të hequr *”filibuster”-in, Blair është takuar privatisht me senatorët javët e fundit për të paraqitur ndryshimet e mundshme.
Blair ka filluar t’u japë këshilla anëtarëve mbi përballueshmërinë e jetesës që nuk përputhen gjithmonë me mesazhet publike të Trump-it, duke thënë se kjo çështje do jetë në qendër të zgjedhjeve të mesmandatit.
“Jo shumë respekt”
Taktikat e Blair-it kanë zemëruar disa në Kapitol Hill. Anëtarët janë ankuar privatisht se si Shtëpia e Bardhë nuk duket se e kupton që Kongresi është një degë e barabartë e qeverisë. Disa republikanë kanë njoftuar tërheqjen në vend që të përballen me rizgjedhjen, dhe të tjerë po e konsiderojnë tërheqjen, thanë republikanët e lartë të Hill-it.
Deputetja Marjorie Taylor Greene, që po tërhiqet, shprehu zemërim te zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë në fillim të këtij viti se Blair dhe ekipi i marrëdhënieve legjislative ishin përçmues ndaj saj. Zyra e saj nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
“Nuk ka shumë respekt ndaj Kongresit”, tha Erick Erickson, një aktivist konservator.
Në një deklaratë të shkruar, Blair citoi nga fjalimi i përgatitur që Presidenti John F. Kennedy do mbante në Dallas ditën kur u vra: “Gjithmonë do ketë zëra disidentë në vend, duke shprehur kundërshtim pa alternativa, duke gjetur gabime por asnjëherë favor, duke parë errësirë në çdo anë dhe duke kërkuar ndikim pa përgjegjësi.”
Blair ka bërë presion mbi anëtarët në rrethe konkurruese që të kandidojnë për rizgjedhje pasi mori vesh se po planifikonin të tërhiqeshin ose të kërkonin një zyrë tjetër. Ndonjëherë, bisedat janë nxehur. Ai e shkurajoi ligjvënësin Mike Lawler nga kandidimi për guvernator në Nju Jork, dhe këshilloi deputetin Bill Huizenga kundër kandidimit për Senat në Miçigan, duke zemëruar këtë të fundit.
“A është ai i drejtpërdrejtë? Sigurisht. Kjo është një gjë e mirë për sa më përket mua. Një nga problemet në Uashington është se shumë njerëz janë të butë,” tha Lawler. Blair u shpreh “shumë mirënjohës” që anëtarët dëgjuan.
Muajt e fundit, Blair e ka kthyer fokusin te zgjedhjet e mesmandatit. Ai dha një prezantim në PowerPoint mbi garat dhe strategjitë e veçanta për ndihmësit e Shtëpisë së Bardhë në Camp David. Dhe ai ka intervistuar kandidatë për dhjetëra gara potenciale, duke pyetur për besnikërinë e tyre ndaj Trump-it, nëse mbështesin axhendën e presidentit dhe si planifikojnë të fitojnë.
Blair e ka përshkruar veten te bashkëpunëtorët si “shumë djathtas”, por ai ndonjëherë i paraqet presidentit dhe ekipit të tij të dhëna që tregojnë dobësitë e mundshme politike të politikave të administratës. Ai ka informuar zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë mbi sondazhet që tregojnë se bastisjet e emigracionit që përqendrohen në dëbimin e kriminelëve do ishin më popullore sesa bastisjet me shtrirje të gjerë. Ai i dha Trump-it grafiqe së fundmi që tregonin se sa pesimistë ishin shumë amerikanë për ekonominë.
Në prill, Blair i prezantoi presidentit një plan agresiv për të rishikuar hartat e Kongresit në përpjekje për të mbajtur kontrollin republikan të Dhomës. Plani ishte guximshëm, por Trump-it i pëlqeu dhe i tha Blair-it të sulmonte.
Për javë të tëra, Blair u bëri presion ligjvënësve të Indianas, përfshirë kreun e Senatit shtetëror Rodric Bray, për të mbështetur një plan rishpërndarjeje të zonave të mbështetur nga Trump. Në një telefonatë natën para votimit, Blair e akuzoi Bray-n se po luante lojëra dhe po punonte kundër republikanëve. Bray i tha se rishikimi i hartave nuk ishte i duhur. Aleatët e Trump tani po paralajmërojnë të mos mbështesin krerët republikanë të shtetit në primare.
Wall Street Journal – Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani
-
Albania2 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK3 hours agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania4 hours agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Sports2 hours agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK2 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania19 hours agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Albania19 hours agoAnomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
-
Albania20 hours ago“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri
