Technologji
Greqi, u kapën me armë dhe akuzohen për disa ngjarje kriminale, lirohen dy anëtarët e “Lions”, njëri shqiptar
Mediat greke kanë publikuar sot vendimin e Gjykatës greke për lirimin e dy anëtarëve të grupit kriminal shqiptar “Lions” të akuzuar në Greqi për shumë krime të rënda, përfshirë vrasje. Bledi Alushi, 19 vjeç nga Fieri dhe Nektarios Karkalios, 24 vjeç nga Greqia u arrestuan në 8 shkurt për disa ngjarje kriminale përfshirë tentativa vrasje. Për Alushin u ngritën akuzat “grup kriminal”, “vrasje e mbetur në tentativë në bashkëpunim dhe veçmas”, “armëmbajtje pa leje dhe përdorim arme” dhe “përvetësim pasurie në bashkëpunim” ndërsa ndaj Karakalios akuza “vrasje e mbetur në tentativë”. Gjatë kontrolleve atyre iu sekuestruan edhe 2 pistoleta e municion si dhe sasi eurosh.
Por Gjykata në Greqi i ka liruar të dy nën masën “detyrim paraqitje”. Sipas “Zougla”, shqiptari dhe greku janë pjesë e grupit kriminal “Lions” në Greqi, të përbërë nga shqiptarë ndërkohë që Nektarios Karakalios ka qenë më parë i arrestuar si i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Pëllumb Islamit nga Delvina, por ishte liruar sërish nga Gjykata. Madje dhe pas lirimit, sërish ishte arrestuar në dhjetor 2023 me armë dhe sërish ishte liruar.
Avokati i tyre, Janis Glykas, tha për “Zougla”: “Kjo është një dosje në të cilën autoritetet policore u përpoqën të bashkonin prova të shpërndara inkriminuese dhe çështje të tjera penale në pritje për t’u caktuar përgjegjësi penale klientëve të mi. Fillimi i përfshirjes së hetuar të klientëve të mi ishte tentativa e vrasjes ndaj gruas së një prej të pandehurve, e cila më pas tentoi ta inkriminonte. Pas kërkimit të faljes së tyre, klientët bindën për mospërfshirjen e tyre në akuzat e ngarkuara dhe u liruan”
Episodet për të cilat u arrestuan
Episodi 1
Më datë 21.01.2024, në zonën e Kolonos, në bordin e një automjeti ndodheshin Spartak Lato, Dimitrios Lato, Maria Lato, Kristina Tsakiri dhe një fëmijë 1 vjeç. Në rrugën “Lenorman”, një grup prej 7 personash ndaluan mjetin në fjalë dhe sulmuan drejtuesin e mjetit Spartak Lako, me grushte dhe shkelma në mes të rrugës, ndërsa të paktën njëri prej tyre, i cili mbante një armë, e ka goditur me qytë në fytyrë. Gjatë sulmit, njëri prej autorëve, fillimisht i ka kanosur me pistoletë personat në mjet dhe më pas ka qëlluar në drejtim të tyre, me qëllim vrasjeje, por pa i kapur dot. Nga deklarimet e dëshmitarëve dhe nga analiza e pamjeve filmike, rezulton se autorët e sulmit të armatosur janë Bledi Alushi dhe Nektarios Karakalios dhe të paktën 5 persona ende të paidentifikuar.
Episodi 2
Rreth orës 16:00 të datës 05.02.2024, në spitalin “Evangjelismos” është paraqitur shtetasja me një plagë depërtuese me armë zjarri në bark. I pranishëm në spital ishte edhe bashkëshorti i saj, shtetasi Nektarios Karakalios, i cili deklaroi verbalisht në polici se gruaja e tij qëlloi veten me armë zjarri në shtëpinë e tyre. Nga hetimi i rrethanave të plagosjes rezultoi se autori i vrasjes në tentativë ndaj saj është Nektarios Karakalios. Në vendin e ngjarjes ndër të tjera u gjet 1 armë zjarri pistoletë dhe 1 karikator me kapacitet 30 fishekë pa gëzhoja.
Episodi 3 dhe 4
Në orën 14:30 të datës 22.07.2022 në zonën e “Axarnon”, shtetasit Kristos N. Loukas, 28 vjeç, Kristos P. Loukas, 28 vjeç, Spirido Loukas, 32 vjeç dhe dymbëdhjetë 12 persona ende të paidentifikuar, kanë shkuar në rrugën “Prespas nr. 67” në “Axarnon”, jashtë shtëpisë së Nikolaos Loutsa, 30 vjeç, duke mbajtur karabina, pistoleta dhe shkopinj druri. Ata kanë qëlluar me qëllim vrasjeje me pasojë plagosjen në këmbë të Loutsës.
Pas hetimeve u arrestua Kristos N. Loukas dhe u shpallën në kërkim dy të tjerët.
Gjithashtu, më datë 14.06.22 në orën 22:00 Qendra e Veprimit të Menjëhershëm u njoftua për të shtëna nga persona të panjohur në afërsi të kryqëzimit të rrugëve “Menelaou Ludemi” dhe “Prespas Axarnai”, ku ndodhet kampi i Romëve Aulizas. Në rrugën “Psatha a.a”. punonjësit e policisë së ekipit “DIAS” gjetën një gëzhojë arme zjarri të kalibrit -1- 9 mm, e cila u sekuestrua.
Sipas ekzaminimeve laboratorike – krahasuese dhe gjurmëve të mjeteve dhe Shënimi Informativ i datës 02.08.2024, ka rezultuar se gëzhoja e gjetur në vendin ku ka ndodhur vrasja në tentativë e Nikolaos Loutsa dhe gëzhoja e arma e zjarrit kanë dale nga pistoleta e markës “69278” ZASTAVA, e cila u sekuestrua në rrugën “Gemelou nr. 118” në “Nikea”, në të cilën Bledi Alushi dhe Nektarios Karakalios kishin fshehur një pjesë e armatimit të tyre. Për rrjedhojë, dy nga bashkëpunëtorët e panjohur të autorëve të identifikuar në atë kohë janë Bledi Alushi dhe Nektarios Karakalios.
Episodi 5
Rreth datës 08-09.01.2024, Bledi Alushi dhe Nektarios Karakalios kanë qëlluar me armë zjarri të paktën shtatë 7 herë në drejtim të Bar Restaurant VENUS” në pronësi të Pëllumb Hasanit nga Babica e Vlorës, në rrugët “Paraskevopoulou” dhe “Giannari” në Patisia, e cila ishte e mbyllur në atë kohë. Për pasojë janë shkaktuar dëme, pasi xhamat e barit janë thyer si nga ana në rrugën “Paraskevopoulou” ashtu edhe nga rruga “Giannari”. Nga dëshmitë e dëshmitarëve rezultoi se autorë të të shtënave janë Bledi Alushi dhe Nektarios Karakalios.
Albania
Sulmet digjitale në 2025/ Më të sofistikuara dhe më të organizuara
Sulmet digjitale në Shqipëri kanë ardhur duke u sofistikuar përgjatë 12 muajve të fundit. Shpeshherë ato ndodhin në forma të fshehta, por pasojat në integritetin e të dhënave apo sigurinë e qytetarëve janë të dukshme dhe problematike.
Një monitorim i BIRN për hapësirën digjitale në Shqipëri për periudhën kohore shtator 2024-gusht 2025 identifikoi 115 shkelje në total, ku kryesojnë përmbajtjet e dëmshme dhe sjelljet kërcënuese, të ndjekura nga shkeljet e të drejtave ekonomike dhe aseteve digjitale.
Më të prekurit nga këto shkelje janë qytetarët dhe grupet e aktivistëve, ndërkohë që autorët e këtyre sulmeve janë një pjesë të paidentifikuar.
Transferimi i pothuajse të gjitha shërbimeve publike në platformën digjitale qeveritare “e-Albania” përgjatë viteve të fundit është shoqëruar jo vetëm me avantazhe për qytetarët, por edhe me rrisqe përsa i përket mbrojtjes së të dhënave të tyre personale.
Sipas ekspertëve, shkeljet digjitale më të rrezikshme janë përqendruar në sulmet ndaj infrastrukturave kritike të vendit, dezinformimin dhe manipulimin zgjedhor, mashtrimet financiare digjitale, si edhe sulmet online ndaj aktivistëve dhe gazetarëve.
Orkidea Xhaferaj, hulumtuese dhe drejtuese e Departamentit të Politikave Digjitale dhe Inovacionit pranë SCiDEV, i tha BIRN se prej vitesh ka një trend rritës të sulmeve kibernetike në Shqipëri, gjë që reflekton trendin global apo tranformimin digjital që po ndodh në vend.
“Sulmet ndaj infrastrukturave kritike janë më të rrezikshmet, pasi impaktojnë shërbimet publike, dhe së dyti sigurojnë akses të keqbërësve në të dhënat personale dhe sensitive të qytetarëve në masë,” i tha BIRN Orkidea Xhaferaj, duke përmendur si shembull sulmin ndaj Bashkisë Tiranë në qershor 2025, që la pa shërbim mijëra qytetarë.
Daniel Prroni, hulumtues pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) shtoi më tej se një tjetër trend shkeljesh digjitale në 2025 konsiston pikërisht në përhapjen e dezinformimit gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.
“Një tjetër rrezik gjatë këtij viti ka qenë përhapja e dezinformimit dhe manipulimit të informacionit, veçanërisht gjatë fushatës zgjedhore përmes përmbajtjeve të gjeneruara me AI, pa etiketime apo transparencë, dhe përdorimin të bot-eve për të amplifikuar mesazhe politike”, i tha BIRN Daniel Prroni.
Fushata zgjedhore e zgjedhjeve parlamentare të Majit 2025 u karakterizua nga një sërë shkeljesh etike në hapësirën online.
Edhe pse partitë kryesore të vendit nënshkruan Kodin e Etikës për Fushatën Digjitale, shumica e tyre përdorën dhe shpërndanë video të gjeneruara me Inteligjencë Artificiale që patën si efekt bullizëm kibernetik dhe dezinformim ndaj kundërshtarëve politikë. Gjithashtu më shumë se 50 faqe të ndryshme anonime online u përdorën për propagandë politike.
Ekspertët pranojnë gjithashtu se gjatë vitit 2025 të dhënat personale dhe financiare të qytetarëve janë ndikuar ndjeshëm prej një serie sulmesh “phishing” që kanë shënjestruar financat e tyre, sulme të sofistikuara të cilat kamuflohen sikur vijnë prej institucione reale të vendit.
“Mashtrimet digjitale dhe sulmet ‘phishing’ janë bërë gjithnjë e më të vështira për t’u dalluar nga komunikimet legjitime të institucioneve apo operatorëve ekonomik legjitim përmes imitimit të domain-eve të institucioneve shtetërore dhe kompanive private”, i tha BIRN hulumtuesi i IDM, Daniel Prroni.
Të njëjtën gjë konfirmon edhe ekspertja Xhaferaj, sipas të cilës skemat e mashtrimit financiar kanë impakt të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.
“Shitja apo rrjedhja e të dhënave personale nga sulmet phishing ndaj qytetarëve rrit vulnerabilitetet për sulme të tjera ndaj tyre”, i tha BIRN Orkidea Xhaferaj.
Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike (AKSK) ka paralajmëruar disa herë qytetarët të tregohen të kujdesshëm ndaj këtyre tentativave të mashtrimit që targetojnë të dhënat dhe financat e tyre.
Një kategori tjetër që janë prekur nga shkeljet në sferën digjitale janë aktivistët e të drejtave të njeriut, gazetarët, apo anëtarët e komuniteteve vulnerabël, që vijojnë të jenë shënjestër e sulmeve të cilat jo pak herë konsistojnë edhe në kërcënime me jetë apo fushata linçimi që ndikojnë ndjeshëm në mirëqënien e këtyre personave.
Sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit, Shqipëria renditet e 80 nga 180 vende, duke u theksuar se gazetarët janë viktima të akteve të indimidimit nga politikanët dhe krimi i organizuar.
Prroni i tha BIRN se këto sulme ndaj aktivistëve apo gazetarëve vijojnë të mbeten një shqetësim për lirinë e shprehjes.
“Kërcënimet dhe bullizmi kibernetik gjithashtu kanë përbërë një volum të lartë të shkeljeve. Qytetarët e angazhuar në publik dhe grupet e margjinalizuara janë sulmuar vazhdimisht online, shpesh nga njerëz të paidentifikuar”, tha Prroni për BIRN.
“Në thelb, këto sulme kanë synuar të krijojnë një klimë frike dhe presioni që nxit vetëcensurën e gazetarëve dhe shkurajon pjesëmarrjen e qytetarëve në jetë publike”, shtoi ai.
Ekspertët janë të mendimit se ndërgjegjësimi i qytetarëve ndaj këtyre sulmeve është hapi kyç në adresimin e kësaj situate.
“Ndërgjegjësimi dhe rritja e kapaciteteve të qytetarëve për phishing dhe mashtrimet online mbetet kyç për adresimin e situatës”, i tha BIRN Xhaferaj.
Ajo shtoi se edhe forcimi i kapaciteteve të mbrojtjes kibernetike vendore duhet të jetë prioritet për mbrojtjen e infrastrukturave lokale dhe të dhënave të qytetarëve.
Edhe hulumtuesi Prroni nga IDM theksoi rëndësinë e përmirësimit të legjislacionit me mekanizma më efektive hetimi kundër mashtrimeve digjitale apo harmonizimin me rregulloret e BE-së përsa i përket përdorimin të platformave digjitale.
“Nevojiten përmirësime thelbësore të legjislacionit kundër mashtrimeve digjitale dhe mekanizma më efektivë hetimi”, i tha BIRN Prroni.
“Gjithashtu duhet punuar për harmonizimin e akteve të BE-së që rregullojnë mjedisin digjital, posaçërisht DSA-së në lidhje me sjelljen e platformave digjitale dhe Aktin e Inteligjencës Artificiale në lidhje me përdorimin dhe përhapjen e materialeve të gjeneruara nga AI”, përfundoi ai.
Reporter.al
Bota
Dronët zbulojnë virus vdekjeprurës në frymën e balenave të Arktikut
Dronët e pajisur me teknologji të posaçme kanë ndihmuar shkencëtarët të zbulojnë një virus potencialisht vdekjeprurës në frymën e balenave të Arktikut, duke hapur një kapitull të ri në monitorimin e shëndetit të gjitarëve detarë.
Shkencëtarët fluturuan dronë të pajisur me pajisje të posaçme përmes pikëzave të nxjerra gjatë frymëmarrjes, ose “fryrjeve”, që krijohen kur këta gjigantë dalin në sipërfaqe për të marrë frymë.
Analizat zbuluan praninë e morbillivirusit cetacean, një virus shumë ngjitës që përhapet lehtësisht midis delfinëve, balenave dhe derrave të detit, duke shkaktuar sëmundje të rënda dhe vdekje masive.
Ky është konfirmimi i parë se virusi po qarkullon mbi Rrethin Arktik, duke paraqitur një kërcënim serioz për ekosistemet detare.
Sipas studiuesve, kjo metodë është një hap i madh përpara, pasi lejon monitorimin e balenave të gjalla pa i stresuar apo dëmtuar ato. Virusi mund të përhapet lehtësisht mes specieve dhe të udhëtojë nëpër oqeane, çka e bën edhe më të rrezikshëm.
Shkencëtarët shpresojnë se përdorimi afatgjatë i kësaj teknologjie do të ndihmojë në identifikimin e hershëm të kërcënimeve dhe në mbrojtjen më të mirë të jetës detare në një Arktik që po ndryshon me shpejtësi.
Bota
Plani sekret i Kinës në “zemër” të Himalajeve
Në një zonë të largët të Himalajeve, Kina po ndërton një sistem hidroenergjetik me vlerë 168 miliardë dollarë në lumin Yarlung Tsangpo, që pritet të prodhojë më shumë energji se çdo hidrocentral tjetër në botë. Projekti, i cili zbaton një rënie lartësie prej 2,000 metrash dhe përfshin tunele dhe stacione kaskade, synon të furnizojë energji për makinat elektrike dhe qendrat e inteligjencës artificiale, duke zvogëluar varësinë nga qymyri dhe emetimet e karbonit.
Megjithatë, ndërtimi ngre shqetësime të mëdha ekologjike dhe sociale, shkruan CNN. Zona e “Great Bend”, ku lumi ndryshon drejtim përreth maleve, është e pasur me biodiversitet, përfshirë specie të rrezikuara si tigri i Bengalit dhe panda e kuqe, dhe banorë vendas si Monpa dhe Lhoba mund të detyrohen të zhvendosen. Vlerësimet e ndikimit mbi ekosistemet dhe shoqëritë lokale mbeten të pasigurta, duke shtuar frikën se projekti mund të shkaktojë dëme të paparashikuara.
Projekti ngre gjithashtu tensione diplomatike. Lumi Yarlung Tsangpo bëhet Brahmaputra në Indi dhe Bangladeshi, duke mbështetur miliona banorë që varen nga peshkimi dhe bujqësia. Autoritetet indiane e kanë quajtur projektin një “bombë uji”, duke paralajmëruar për potenciale ndikime katastrofike në rast të kontrollit ose lëshimit të papritur të ujit. Marrëdhëniet midis Pekinit dhe New Delhit për lumenjtë transnacionalë janë tashmë të ndërlikuara dhe ndërtimi i hidrocentralit mund të tensionojë më tej situatën.
Kina ka theksuar se ka zbatuar masa të forta për mbrojtjen ekologjike dhe sigurinë inxhinierike, duke premtuar monitorim mjedisor dhe komunikim me vendet në vijën e poshtme të lumit. Por ekspertët paralajmërojnë se rreziqet janë të mëdha për shkak të lëvizjeve sizmike, reshjeve të paparashikueshme dhe përmbytjeve, si dhe pasojave për banorët dhe ekosistemet e Himalajeve.
Ndërsa Kina synon të kthejë Tibetin në një qendër të energjisë së pastër, projekti tregon sfidat mes zhvillimit teknologjik, sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes së mjedisit, duke bërë që hidrocentrali i Yarlung Tsangpo të konsiderohet një ndër ndërmarrjet më ambicioze dhe kontroverse në historinë e vendit.
-
Albania11 hours ago“Wizz Air” le në mëshirë të fatit pasagjerët e linjës Londër-Tiranë
-
UK3 days agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania3 days agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
Albania4 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK4 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports3 days agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
UK1 day agoBllokohet hekurudha Angli-BE/ Probleme me energjinë elektrike, pezullohen udhëtimet për mijëra pasagjerë
-
Albania3 days agoHetimet për atentatin e Rinasit, burime: Autorët pasi dogjën mjetin që përdorën në krim u larguan me ambulancë
