Fluturimet në disa aeroporte gjermane u ndërprenë edhe këtë hënën në një varg grevash njëditore lidhur me mosmarrëveshjet e punonmjësve për pagën.
Grevat përfshijnë aeroportet e Berlinit, Hamburgut, Hannoverit dhe Bremenit.
Rreth 200 nisje u anuluan në Berlin dhe rreth një e treta e 200 mbërritjeve të planifikuara pritet të anulohen, njofton agjencia gjermane e lajmeve dpa.
Aeroporti i Hamburgut bëri me dije se të gjitha nisjet e planifikuara gjatë të hënës u anuluan dhe të paktën 50 nga 121 mbërritjet e planifikuara gjithashtu.
Paralizimi i transportit ajror po ndodh për shkak të mosmarrëveshjeve për pagat e punonjësve, si nga qeveria federale, ashtu eedhe nga landet lokale.
Sindikatat po kërkojnë një rritje pagash prej 10.5%, ndërsa punëdhënësit deri më tani kanë ofruar një rritje prej 5% në dy faza. Raundi tjetër i bisedimeve do të fillojë më 27 mars.
Sindikata gjermane e punëtorëve Verdi ka thënë në të kaluarën se përpjekjet për të përmirësuar situatën për punëtorët e këtij sektori, kanë rezultuar me pak përparim.