Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Zvicër ku një grua është plagosur rëndë pasi makina e saj i kaloi tre herë mbi trup. Sipas agjencisë zvicerane të lajmeve ATS, ngjarja ka ndodhur në rrethana të çuditshme.
Ajo ka lënë makinën e ndezur dhe ka dalë për të marrë diçka nga bagazhi, kur për shkak të pjerrësisë së rrugës, mjeti është zhvendosur duke i kaluar mbi trup.
Megjithatë kalvari nuk ka ndalur këtu për 45-vjeçaren. Makina është përplasur me një automjet tjetër dhe është kthyer në drejtim të kundërt, duke kaluar sipër trupit të gruas për herë të dytë, tha policia.
Pastaj, makina ka goditur trotuarin, duke u kthyer në drejtim të gruas dhe duke i kaluar sipër trupit për herë të tretë, përpara se të godiste përfundimisht një pengesë prej druri dhe të ndalonte.
Gruaja është dërguar menjëherë në spital nga kalimtarët, ndërsa mjekët thonë se është në gjendje të rëndë.