Pas suksesit të madh të turneut të ribashkimit “Live ’25”, grupi legjendar britanik “Oasis” ka publikuar një detaj ironik lidhur me biletat e koncerteve të tyre.
Sipas tyre, “Çdo biletë është e shoqëruar me një leje speciale për të tradhtuar me kë të dëshironi”, një koment si thumb ndaj incidentit të ndodhur kohët e fundit në një koncert të “Coldplay”.
Në një nga pesë koncertet e njëpasnjëshme në Manchester, vokalisti Liam Gallagher u shpreh me sarkazëm: “A kemi ndonjë çift të dashuruar në sallë? Mos u shqetësoni, tek ne nuk ka nga ato gjërat tallëse të Coldplay me kamera”.

Kjo deklaratë vjen si reagim ndaj skandalit që shpërtheu gjatë një koncerti të “Coldplay”, kur drejtori i atëhershëm i kompanisë teknologjike “Astronomer”, Andy Byron, u shfaq në ekranin gjigant në një përqafim të afërt me kolegen e tij Kristin Cabot.
Videoja u bë virale dhe nxiti një reagim të madh publik, që çoi në dorëheqjen e Byron.

Frontmeni i “Coldplay”, Chris Martin, komentoi me humor situatën në skenë:“Oh, çfarë kemi këtu? Ose kanë një aferë, ose janë shumë të turpshëm”.
As Byron dhe as Cabot nuk janë prononcuar ende për këtë incident, ndërsa “Oasis” ka vendosur ta përdorë me ironi si pjesë të marketingut të turneut të tyre, duke treguar se ndonëse kanë kaluar dekada, ata nuk kanë humbur as gjuhën e mprehtë, as ndjesinë për humor provokues.