Mbështetësit e një grushti shteti në Niger kanë sulmuar selinë e partisë së presidentit të rrëzuar, duke i vënë flakën dhe duke goditur me gurë dhe djegur makina jashtë, shkruan BBC.
Grupi i vogël i zjarrvënësve ishte shkëputur nga një manifestim i madh i mbështetjes për udhëheqësit e grushtit të shtetit jashtë parlamentit, ku shfaqeshin flamujt rusë.
Rusia iu bashkua vendeve të tjera dhe OKB-së në thirrjen për lirimin e Bazoum.
64-vjeçari, i cili u zgjodh president i Nigerit dy vjet më parë, është një aleat kryesor perëndimor në luftën kundër militantëve islamikë në Afrikën Perëndimore.
SHBA dhe Franca, ish-fuqia koloniale, të dyja kanë baza ushtarake në vendin e pasur me uranium – dhe e kanë dënuar grushtin e shtetit.
Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken thirri zotin Bazoum duke i premtuar “mbështetje të palëkundur” të Uashingtonit.
Zoti Bazoum shkroi në Twitter të enjten në mëngjes për të lëshuar një deklaratë sfiduese: “Arritjet e fituara me vështirësi do të mbrohen. Të gjithë nigerianët që e duan demokracinë dhe lirinë do të kujdesen për këtë.”
Ministri i tij i jashtëm gjithashtu është përpjekur të mbledhë mbështetjen dhe nxitjen e dialogut, por shefi i shtabit të ushtrisë tha se ai po mbështeste marrjen e kontrollit për të shmangur luftimet brenda forcave të armatosura.
Mbetet e paqartë se kush është në të vërtetë në krye të Nigerit pasi junta nuk e ka shpallur liderin e saj.
Televizioni shtetëror ka përsëritur njoftimin e grushtit të shtetit të natës vonë, të ndërthurur me muzikë patriotike dhe vargje Kur’anore – dhe buletini i tij i zakonshëm i lajmeve gjatë drekës nuk u transmetua.
Por në kryeqytet, Niamey, dyqanet dhe tregjet u hapën për biznes dhe pas vonesave për shkak të shiut të dendur herët në mëngjes, mbështetësit e grushtit të shtetit dolën në rrugë.
Qindra të cilët u mblodhën jashtë Asamblesë Kombëtare kishin disa flamuj rusë, ndërsa të tjerët mbanin në duar tabela të shkruara me dorë ku thuhej: “Poshtë Franca” dhe “Jashtë bazat e huaja”.
Një flamur rus u shfaq gjatë një demonstrate pro-puçit të mbajtur pas rreshjeve të mëngjesit
Policia më vonë hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë ata që kishin shkuar në selinë e partisë në pushtet, ku aktivistët e partisë u larguan kur panë protestuesit që po vinin.
Disa njerëz u plagosën në rrëmujë dhe kufomat e djegura të automjeteve tani rrethojnë ndërtesën e partisë PNDS Tarraya.
Mbështetësit e grushtit të shtetit akuzojnë partinë për korrupsion dhe se nuk bën sa duhet për të përmirësuar situatën e sigurisë dhe për t’i dhënë fund kryengritjes së gjatë xhihadiste.
Dy vende fqinje, Mali dhe Burkina Faso, kanë përjetuar grusht shteti të shkaktuar nga kryengritjet islamike në vitet e fundit.
Në të dyja vendet, liderët e rinj ushtarakë janë afruar më shumë me Rusinë, pas përplasjes me Francën.
“Shpresoj se ata do të vendosin siguri të mirë në qytet dhe do të na ndihmojnë për të arritur kushte më të mira, sepse ne kemi burime të mira. Nuk më intereson nëse duan të ndjekin vetëm Burkina Fason apo Malin,” Xhibo, një mbështetës i grushtit të shtetit. tha për BBC.
Një numër komentuesish të njohur pro-Kremlinit në Telegram – një nga platformat e pakta të mediave sociale që nuk janë të ndaluara në Rusi – kanë postuar komente në mbështetje të grushtit të shtetit, duke thënë se është një mundësi për Rusinë dhe Wagnerin që të hyjnë në Niger.
Për momentin, nuk ka asnjë provë për ndonjë përfshirje ruse në këtë marrje. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se rendi kushtetues në Niger duhet të rivendoset, thotë Reuters, duke cituar agjencinë shtetërore ruse të lajmeve Tass.