Zinedine Zidane ka mundur që kurrë të mos angazhohet si trajner i Real Madridit po të mos ishte suksesi i Pep Guardiolas me skuadrën e Barcelonës. Megjithatë, tani është Guardiola ai që synon ta ndjekë shembullin e Zidanet për të përfunduar misionin e tij te skuadra e Manchester Cityt, shkruan AFP.
Real Madridi i Zidanet udhëton në Manchester me synim që të premten mbrëma ta rikthejë rezultatin në favor të vetin dhe të sigurojë kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Ndeshja në “Etihad Stadium” është përballja e kthimit në kuadër të 1/8 së finales të Championsit, dhe City ka avantazhin nga dueli i parë, të cilin e fitoi në “Santiago Bernabeu” me shifrat 2:1 të luajtur në muajin shkurt.
Liga e Kampionëve rikthehet në skenë të premten pas një pauze të detyrueshme prej pesë muajve shkaku i përhapjes së koronavirusit. Mirëpo, shumëçka ka ndryshuar qëkur këto dy ekipe u takuan për herë të fundit. Pastaj nën presion, Zidane, në kthimin e tij të dytë në krye të Realit, ka ndërprerë sërish mbizotërimin e Barcelonës në La Liga. Pas rifillimit të garave në Spanjë në muajin qershor, Reali regjistroi një seri prej dhjetë fitoreve rresht për ta fituar titullin e kampionit të Spanjës pas tre vjetësh. Edhe për klubin ku suksesi në Ligën e Kampionëve ka më shumë rëndësi se gjithçka tjetër, presioni është mbi Realin pasi Zidane synon të mbrojë rekordin e tij të përsosur në këtë garë si trajneri. Ai tri herë e çoi Madridin në lavdinë e Ligës së Kampionëve në angazhimin e parë si trajner midis vitit 2016 dhe 2018, dhe mbi të gjitha, Zidane nuk është ende i eliminuar nga kjo garë si trajner. E suksesin e Zidanet në Champions e lakmon Guardiola, gjë që e pranon edhe vetë.