“Guxim i jashtëzakonshëm!” Trump vlerëson personin që çarmatosi agresorin në Australi: Shpëtoi shumë jetë

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shprehur ngushëllimet për viktimat e sulmeve terroriste të ndodhura gjatë fundjavës, në prag të festës hebraike të Hanukkah, duke vlerësuar publikisht guximin e qytetarit që çarmatosi njërin prej sulmuesve në Australi dhe shmangu një tragjedi edhe më të madhe.

Gjatë një pritjeje festive në Shtëpinë e Bardhë, Trump e cilësoi ndërhyrjen e qytetarit si një akt heroik. “Ishte një person jashtëzakonisht i guximshëm, që u përball drejtpërdrejt me një nga sulmuesit dhe shpëtoi shumë jetë. Ai është aktualisht në spital, i plagosur rëndë. Kam respekt të madh për atë që bëri,” deklaroi presidenti amerikan.

Bëhet fjalë për Ahmed Al Ahmed, 43 vjeç, banues në Sydney, pronar i një dyqani frutash dhe baba i dy fëmijëve. Ai u bë i njohur në mbarë botën pas publikimit të një videoje ku shihet teksa i afrohet nga pas një personi të armatosur në plazhin Bondi Beach, e neutralizon dhe i merr armën me duar të zhveshura. Gjatë sulmit, Ahmed u qëllua dy herë dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Veprimi i tij u përshëndet edhe nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, si dhe nga kryeministri i Uellsit të Ri Jugor, Chris Minns, i cili e quajti skenën “të pabesueshme” dhe Ahmedin “një hero të vërtetë”.

Sulmi i armatosur gjatë festimeve të Hanukkah në Bondi Beach i mori jetën të paktën 11 personave dhe la dhjetëra të plagosur, duke u cilësuar si sulmi më vdekjeprurës me armë zjarri në Australi në gati tre dekada, në një vend të njohur për ligje të rrepta për armët.

Share This Article