Deputeti liberal gjerman, Thomas Hacker ka përshëndetur përpjekjet e Gjermanisë dhe Francës për ndërmjetësim pas shpërthimit të përplasjeve në veri të Kosovës.
Hacker ka theksuar se klima e mosbesimit çoi në këtë dinamikë të rrezikshme në veri të Kosovës ku shpërthyen në dhunë kundër ushtarëve të KFOR-it, mediave dhe qytetarëve.
Deputeti liberal gjerman, (FDP) njëherësh raportues për vendet e Ballkanit Perëndimor në grupin parlamentar të liberalëve ka theksuar se kjo dinamikë e rrezikshme nuk duhet toleruar dhe nuk duhet të bjerë ndesh me Marrëveshje e Ohrit.
“Ditët e fundit kanë treguar, se trazirat dhe klima e mosbesimit në veri të Kosovës kanë çuar në dinamikë të rrezikshme, që nuk duhen toleruar dhe bien ndesh me Marrëveshjen e Ohrit”, ka theksuar Hacker.
Deputeti gjerman ka përshëndetur kërkesën e kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe të presidentit francez, Emmanuel Macron për zgjedhje të reja në katër komunat veriore me shumicë serbe në Kosovë.
Megjithatë, sipas Hackerit ato mund të ulin tensionet vetëm nëse merr pjesë Lista Serbe dhe lirohet nga diktati i Beogradit. Ndërsa shpjegon se një bojkot i ri i zgjedhjeve nuk ka për të ndryshuar situatën, thekson Thomas Hacker.
“Pala kosovare duhet të ulë prezencën joproporcionale në veri të Kosovës dhe të mos përpiqet të nxjerrë kapital politik nga vakuumi aktual i sigurisë. Kjo sjellje i shërben vetëm narrativit të Beogradit dhe i mundëson Vuçiçit të largojë vëmendjen nga gjendja e brendshme politike në Serbi”, është shprehur në një njoftim për shtypin, deputeti gjerman, Thomas Hacker.