Haiti ka kërkuar mbështetje ushtarake nga të huajt për të frenuar krizën e dhunës së bandave e cila ka paralizuar vendin.
Qeveria haitiane autorizoi kryeministrin Ariel Henry, që të kërkojë ndihmë të armatosur për shkak të “rrezikut të një krize të madhe humanitare”.
Një grup bandash të fuqishme kanë bllokuar terminalin kryesor të karburantit të vendit që nga shtatori, duke ndaluar dhe dëmtuar furnizimet bazë si uji dhe ushqimi, raporton BBC, transmeton klankosova.tv.
Nuk është e qartë se kujt i është dërguar kërkesa për ndërhyrje dhe në çfarë forme do të jepej ndihma.
OKB-ja tha se nuk ka marrë një kërkesë zyrtare nga qeveria e Haitit.
SHBA po shqyrton kërkesën për korridor humanitar për të rivendosur shpërndarjen e karburantit brenda Haitit, sipas zëdhënësit të departamentit të shtetit, Vedant Patel.
Haiti është një nga vendet më të varfra në botë dhe ka pësuar një sërë krizash, së fundi vrasja e presidentit të saj, Jovenel Moïse, po ashtu, në korrik 2021, pati një tërmet masiv që la më shumë se 2200 njerëz të vdekur.