Pas përfundimit të takimit të Komisionit për Reformën Zgjedhorem deputetja Rudina Hajdari u shpreh për mediat se betejën për ndryshimin e sistemit zgjedhor do t’i shkojnë deri në fund dhe se këtë betejë po e vazhdon në Parlament.
“Trajtuam çështjen e marrëveshjes që u arrit në Këshillin Politik. Patjetër që duhet të kuptohet që Komisioni i Reformës Zgjedhore nuk është mbledhur si institucion pjesë e parlamentit. Duhet të ishte trajtuar hap pas hapi çdo pikë e asaj marrëveshje, por anashkalimi i opozitës parlamentare ka sjellë një tension të lartë ndaj jemi në këtë pikë. Gjithsesi ajo që është e rëndësishme për ne si opozitë parlamentare është fakti që ne kemi shpallur si luftë kryesore për të arritur në këtë komision dhe në vijim ndryshimin e sistemit. Beteja jonë tani është në parlament dhe ne kemi vullnetin për ta çuar deri në fund dhe nuk është thjeshtë betejë e opozitës parlamentare por e gjithë qytetarëve. Partitë politike nuk duhet të kenë frikë nga hapja e listave me ndryshimin e sistemit”, tha Hajdari.
Gjithashtu i të njëjtit mendim ka qenë dhe deputeti Ralf Gjoni i cili u shpreh se nuk do të ketë dakordësi nëse në Këshillin Politik nuk do të ketë një ndryshim të sistemit zgjedhor me lista të hapura.
Ai thotë se përpara firmave të 50 mijë qytetarëve për ndryshimin e sistemit, nuk i vendos fimat e Këshillit Politik.
“Komisioni ka dy objekte. Objekti 1 është trajtimi i të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR, dhe objekti i dytë për hapjen e debatit kombëtar për ndryshimin e sistemit zgjedhor me listat e hapura. Unë jam mbështetës i kësaj nisme. Kjo kërkesë e shqiptarëve nuk është trajtuar në Këshillin Politik. Firmat e këshillit nuk i vendos përpara firmave të 50 mijë qytetarëve. Nuk do të ketë asnjë dakordësi për të kaluar në parlament një reformë për ndryshim të sistemit zgjedhor. Në 10 vite, ne jemi treguar njerëzit më me forcë. Vjet në këtë kohë askush, nuk fliste për listat. Sot të gjithë shqiptarët flasin për këto listat”, tha Gjoni./Ora News/