Rudina Hajdari, ish-deputete e PD dhe e bija e Heroit të Demokracisë, themeluesit të PD, ndodhej sot para Gjykatës së Apelit, në pritje të vendimit për të ardhmen e vulës dhe logos së PD.
“Unë jam këtu si një qytetare e thjeshtë, por edhe si një person i lidhur fort ngushtë me PD, – tha zonja Hajdari.- Unë e konsideroj PD si familjen time duke marrë parasysh se Azem Hajdari, im atë, rrezikoi jetën me studentët e Dhjetorit për të formuar këtë Parti Demokratike dhe në fund dha jetën për parimet demokratike, siç është një shoqëri e lirë.
Në fakt, po të marrësh parasysh, ajo që po ndodh këtu sot është e paprecedentë në asnjë vend të botës.
Kryetari i opozitës zgjidhet nga populli, jo nga një gjykatë. Ndaj dua t’ia kujtoj gjykatës se jemi në kushtet kur po shkelen me këmbë parimet demokratike. Pra, vullneti i njerëzve, partitë politikë, kryetari i partisë duhet të zgjidhet nga anëtarë e asaj partie përkatëse. T’ia lëmë popullit të vendosë.
Ajo që më shqetëson mua është se ne jemi para një procesi që po e trajton PD si pronë private. Pra, kush do ta gëzojë PD-në, zoti Basha apo zoti Berisha.
PD është një aset publik që ka 32 vite që ekziston, ka pasur studentët e Dhjetorit që rrezikuan jetën e tyre për të shembur atë regjim. PD është ajo parti që nëpërmjet kontribuesve të ndryshëm bëri gjëra shumë të mira dhe është opozitë në këtë vend, që duhet të vendoset me zgjedhjen e anëtarëve të PD dhe kurrsesi ne nuk mund të lejojmë…
Unë e inkurajo gjykatën që ta shohë këtë çështje më vëmendje. Po e them edhe si nënë se unë jam e shqetësuar për të ardhmen e këtij vendi. I gjithë procesi është falsitet. Nuk mund të kemi një proces të tillë për një parti politike që të trajtohet si pronë private.”