Një llogari në Telegram, e quajtur “Homeland Justice”, ka publikuar listën e plotë të e-maileve të ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, si dhe të dhëna të tjera në lidhje me të, si lëvizjet e tij jashtë shtetit, të marra nga sistemi TIMS.
Aty publikohen informacione sensitive, raporte dhe informacione të ndrsyhme që i janë dërguar Nanos në kohën kur drejtonte Policinë e Shtetit dhe më parë Njësinë e Antiterrorit. Mes informacioneve është edhe një raport i Njësisë së Antiterrorit në Policinë e Kosovës, ku përshkruhet me detaje një plan për të vrarë kryeministrin Albin Kurti, si dhe dy persona të tjerë, Ismet Haxha dhe ish-deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti.
Gjithashtu, Nano është informuar rreth informacioneve të marra për lëvizjet e një prej njerëzve më të kërkuar në Shqipëri, Talo Çela, i cili me sa raportohet, është parë duke lëvizur në Tiranë gjatë vitit 2021. Për personat që japin informacione për kapjen e tij, Policia ofron 10 mijë euro shpërblim.
Pak ditë më parë, hakerat sulmuan dhe bllokuan sistemin TIMS, ndërsa në korrik arritën të bllokonin për disa ditë punën e sistemin online të të dhënave të shqiptarëve, e-Albania. Për ngjarjen, qeveria shqiptare, akuzoi drejtpërdrejt Iranin dhe ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike. Shtetet e Bashkuara sanksionuan publikisht disa zyrtarë iranianë për rolin e tyre në këto sulme.